Maqedoni

Zgjedhjet Presidenciale 2019, Blerim Reka mbajti takime në Veles e Jabollçishtë

12.04.2019 15:24

Kandidati për president, Blerim Reka, mbrëmë vazhdoi fushatën e tij në Veles dhe në fshatin Jabollçishtë të Poshtme dhe të Epërme...

Kandidati për president, Blerim Reka, mbrëmë vazhdoi fushatën e tij në Veles dhe në fshatin Jabollçishtë të Poshtme dhe të Epërme, ku u takua me banorët.
 
Gjatë takimeve me qytetarët, ai diskutoi për korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar si shkak për humbjen e besimit të qytetarëve në shtetin dhe shpërnguljet masive.
 
Ai tha se Republika nuk njeh demokracinë e dozuar për “kombet statistikore”, të cilëve u lejohen aq të drejta sa për qind janë.
 
“Vetëm sundimi i ligjit në një Republikë të vërtetë do çrrënjosë qeverisjen e oligarkëve dhe do të kthejë qeverisjen bazuar në llogaridhënie. Fati i këtij populli nuk mund të mbetet peng i fatit të një individi po kushdo qoftë ai. Mos lejoni t’ju bindin që edhe pas 30 vitesh ju duheshka të mos votoni vetveten. Me 21 prill, bëhuni vetvetja. Mos lejoni që me votën e juaj të largoni edhe të rinjtë e fundit idealist. Dëshmoni se ju nuk e pranoni konceptin e kombit statistikor. Tregoni se ju nuk jeni vetëm votues, por edhe të votuar”,- tha kandidati i pavarur për president, Blerim Reka.
 
Sonte kandidati i pavarur, Blerim Reka, bashkë me partitë që e mbështesin në këto zgjedhje, Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa do të shpalosin platformën e tyre presidenciale në Kërçovë.
 
SEDAT SELIMI