Maqedoni
Agjencia për Punësim, ata që kërkojnë punë nuk paraqiten në intervista
12.04.2019 16:11
Aktualisht rreth 190 mijë persona numërohen si të papunë në vend....

Këtë e bëri të ditur drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanovska, e cila njëherit tha se pajtohet me qëndrimin e Bankës Botërore, se qytetarët në Maqedoninë e Veriut as nuk duan e as nuk kërkojnë punë.
“Ne përballemi me probleme kur punëdhënësi kërkon fuqi punëtore, përballemi me situatë kur personat e papunë ftohen në intervistë, ata nuk paraqiten tek Agjencia për Punësim, pasi një gjë të tillë nuk e kanë të obliguar me ligj. Dhe nga të gjithë të papunët që janë të thirrur janë paraqitur për intervistë 30 për qind, nga të cilët gjysma e tyre shkojnë në intervistë tek punëdhënësi, por nuk i pranojnë kushtet, gjegjësisht nuk u përshtatet pozita, kushtet, ndërrimi, rroga etj”,- tha drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanvoska.
Problem tjetër me të cilin përballet Agjencia për Punësim është edhe ajo se punëdhënësit, edhe pse me ligj janë të obliguar të bëjnë shpallje publike për vendet e lira të punës, paraprakisht gjejnë personin për vendet e caktuara të punës.
“Punojmë në drejtim këtyre problemeve, që të krijohet një besueshmëri mes të gjithë pjesëmarrësve në procesin e punësimit në të cilin të gjithë duhet të jenë të sinqertë, ne si agjenci, punëdhënësit dhe ata që kërkojnë punë, të dëshmojnë vërtetë duan të punojnë”,- theksoi drejtoresha e Agjencisë për Punësim, Biljana Jovanvoska.
Nga Agjencia për Punësim po ashtu bëjnë të ditur se me planin për vetëpunësim për vitin 2018 janë punësuar rreth 6500 persona nga të cilët 53 për qind janë të rinj të moshës deri në 29 vjet.
ZEKIRJA MEXHITI
