SHQIPËRI

Shqipëria ndihmon kurdët irakian

30.08.2014 13:53

Në Irak ka mbërritur ngarkesa e parë me municion që u nis nga Shqipëria në ndihmë të kurdëve irakjanë, të cilët po luftojnë me militantët e ISIS.....

Lajmin e ka konfirmuar Kryeministri i Kanadasë Stephen Harper, i cili ka deklaruar se një avion ushtarak kanadez, C-177 , përfundoi misionin për shpërndarjen e parë të pajisjeve ushtarake për forcat kurde, të cilat u dhanë nga Shqipëria.

Fluturimi ishte pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare për të furnizuar forcat e sigurisë së Irakut me armë të vogla dhe municione për të mbështetur luftën e tyre kundër militanteve që kanë shpallur Shtetin Islamik të Irakut dhe Levant.

Në këtë mision ndërkombëtar Shqipëria u rreshtua krahas Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Danimarkës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Kroacisë. Qeveria shqiptare njoftoi javën e kaluar se si një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka dhënë që prej orës së parë kontributin e vet në luftën kundër terrorizmit dhe ka qenë e do të jetë  pjesë e koalicioneve ndërkombëtare, në Afganistan, Irak e më gjerë, bashkë me vende të tjera aleate dhe partnere.

Çdo vendim dhe kontribut i Shqipërisë në këtë drejtim, thuhet ne deklaratën e qeverisë shqiptare, është i mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe i sinkronizuar me partnerët tanë strategjikë e aleatët tanë në NATO dhe në Bashkimin Europian.