Maqedoni

Grupet punuese për PPS-në, Kostadinov: opozita kërkon amnisti për krimet; Stoilkov: LSDM kërkon të lajë veten

12.04.2019 17:20

Grupet punuese të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për Ligjin për Prokurorinë Publike vazhdojnë konsultimet brendapartiake...

Grupet punuese të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për Ligjin për Prokurorinë Publike vazhdojnë konsultimet brendapartiake, pas perspektivave që kanë hapur kryeministri Zaev dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Mickovski, në takimin e fundit.
 
Grupi i VMRO-DPMNE-së po harton propozimet e reja dhe gjatë fundjavës pritet që t’ia dorëzojë grupit të LSDM-së. Por, partia në pushtet akuzoi opozitën maqedonase të kryesuar nga VMRO-DPMNE, se po këmbëngul në kërkesën që nënkupton amnisti.
 
“Gjithsesi se u japim shans bisedimeve, bisedojmë me partinë më të madhe opozitare, por duhet të kemi parasysh se ka vija të kuqe të cilat nuk guxojnë të tejkalohen, amnisti të krimit dhe grabitjes që VMRO-DPMNE bëri në 11 vitet e kaluara, sa ishin parti në pushtet, nuk mund të amnistohet. Ekipi negociues i partisë opozitare kërkon pikërisht këtë. Për ne kjo është e papranueshme. Gjithsesi duam të bisedojmë dhe afrojmë qëndrimet por në kushte, kritere dhe synime të qarta”,- tha zëdhënësi i LSDM-së , Kostandin Kostandinov.
 
Por, vija e kuqe lexohet ndryshe nga partia opozitare.
 
“U dakorduam që bisedimet të mos publikohen”,- u kundërpërgjigj VMRO-DPMNE.
 
“Konform marrëveshjes në takim, vija e kuqe ishte se bisedimet mes grupeve negociuese për tekst cilësor për Ligjin për Prokurori Publike, ku parashihet edhe e ardhmja e PPS-së, do të mbeten brenda grupeve negociuese dhe jo përmes mediave. Deklaratat e këtilla të zëdhënësit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov, tregojnë diçka tjetër dhe ajo është se e vetmja gjë që bën LSDM është përpjekje për të larë veten nga abolimi i krimit dhe mbrojtja e krimit”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkov.
 
VMRO-DPMNE thotë se parimet e tyre deklarativisht pranohen nga Ministrja e Drejtësisë, nga radhët e LSDM-së, prandaj kërkon që ato të vihen në letër.
 
BDI, optimiste se bisedimet për PPS-në do të përfundojnë me sukses. Presin që ligji të miratohet pas zgjedhjeve presidenciale.
 
SHPËTIM NUREDINI