Maqedoni

Instituti i Shëndetit Publik: Brenda javës, 130 të prekur nga fruthi

12.04.2019 18:11

Javën e kaluar në 11 qytete të vendit janë regjistruar 130 raste të reja me fruth...

Në raportin javor të Institutit të Shëndetit Publik bëhet e ditur se 57 raste të reja janë regjistruar në Shkup, që 70% prej tyre janë të pavaksinuar.

Më shumë se gjysma e të prekurve janë fëmijë të moshës prej 0 deri në 4 vjeç. Deri tani nga fruthi janë prekur edhe rreth 100 persona nga personeli mjekësor në Klinika dhe Spitale.

Vlladimir Mikiq nga Instituti i Shëndetit Publik, thotë se pjesa më e madhe e personelit mjekësor të prekur nga fruthi janë nga Klinika e Fëmijëve por kemi raste edhe nga Klinikat e tjera.

Më shumë se 60% e personelit mjekësor janë të pavaksinuar apo të vaksinuar vetëm me një dozë, ka dhe raste ku nuk dihet statusi i tyre vaksinal.

Komisioni për Sëmundje Ngjitëse ka dhënë rekomandim që të gjithë punonjësit shëndetësorë të vaksinohen, thotë Mikiq.

Deri tani epidemi është shpallur në territorin e Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Gjevgjelisë, Kërçovës dhe Strugës, ndërsa javën e ardhshme pritet të vendoset nëse do të shpallet epidemi në tërë vendin.