Botë

OKB: mbi 8000 të zhvendosur në Libi

12.04.2019 19:07

Mbi 8,000 njerëz kanë ikur nga luftimet përreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli...

Mbi 8,000 njerëz kanë ikur nga luftimet përreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli, bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara.

"Zhvendosjet nga zonat e përleshjeve në dhe përreth Tripolit po vazhdojnë", tha zëdhënësi i OKB-së, Rheal Leblanc, për gazetarët në Gjenevë.

Përveç të të zhvendosurve, Leblanc tha se "shumë familje mbeten të bllokuara në zonat e prekura nga konflikti".

Javën e kaluar, komandanti ushtarak, Khalifa Haftar, ka nisur një ofensivë për marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Kjo qeveri e unitetit e kontrollon kryeqytetin, por autoriteti i saj nuk njihet nga një administratë paralele në lindje të Libisë.

Gjenerali Haftar është aleat i qeverisë rivale në qytetin lindor Tobruk. Kryeministri Al-Serraj e akuzoi atë për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se dhjetëra njerëz janë vrarë dhe mbi 300 janë plagosur në luftime.