Shporta për një familje 4 anëtarëshe, 30 mijë denarë
Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave...

Të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, tregojnë se për të mbuluar vetëm shpenzimet mujore bazë, një familjeje 4 anëtarëshe i nevojiten 30 mijë denarë. Shporta konsumatore e llogaritur me pagën mesatare prej 24.517 denarësh, kap shifrën e 32.671 denarëve. Kjo do të thotë, se rroga mesatare nuk mbulon harxhimet.
Sipas të dhënave, rreth 73 % e buxhetit familjar në muaj, shkon për ushqim dhe strehim ndërsa vetëm 5 % shpenzohen për kulturën dhe shëndetin.
Ekipi i TVM 2 doli të pyesë qytetarët se si i mbulojnë harxhimet mujore.
QYTETARET: NUK MUND T’IA DALIM ME KËTO RROGA
“Unë marrë rrogë 250 euro, por nuk del, duhet të blejmë gjithçka, jemi 5 anëtarë dhe djali punon nga pak e shtyjmë disi ngadaldal”.
“Çmimet deri diku janë. Nuk marim rrogë, me ndihmë sociale jam dhe nuk dalin deri në fund të muajit”.
“Për neve qe jemi social, është shtrenjtë. Asgjë nuk na del deri në fund të muajit”.
“ Me mirë është të blesh nje kg mish, por kur s’ka pare asnjërën nuk mund ta blesh” – thonë disa nga qytetarët e anketuar nga televizioni ynë.
PRODHIMET E IMPORTUARA, SHITËSIT: JANË TË SHTRENJTA
Edhe shitësit pranojnë se interesimi i qytetarëve për të blerë është i ulët, megjithse pranojnë se çmimet janë të larta, si rezultat i asaj që disa prodhime pranverore janë të importuara si dhe janë prodhime të cilat prodhohen jashtë sezonit.
“Kilogrami i specave kushton 180 den. Produktet i kemi nga jashtë, Shqipëria dhe Turqia, ndërsa produkte të vendit nuk kemi, për këtë arsye çmimet janë të larta”.
“Momentalisht është dobët për shkak çmimeve, çmimet janë të larta sepse prodhim ka shumë pak dhe kjo ndikon. Produktet ne i marrim nga Shqipëria, dhe ato e mbajnë çmimin e lartë, vetem 1 % kemi fitim” – thanë disa nga shitësit e intervistuar nga TVM2.
Shumica e produkteve në treg janë shtrenjtuar. Rritja më e madhe është regjistruar tek frutat cigaret dhe karburantet por janë shtrenjtuar edhe perimet,vezët, mishi, qumështi dhe peshqit.
Është shënuar rritje cmimesh edhe te biçikletat , aranzhimet turistike dhe në mobileri. Ndërsa çmimet janë ulur për produktet e miellit dhe bukës, drithërat, prodhimet e përpunuara nga mishi, pijet joalkoholike, biletat e avionit, këpucët, telefonat, dhe pajisjet e IT-së. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
