Kryqi i Kuq: 22,2% e popullsisë në RMV jetojnë në varfëri

15.04.2019 18:02

22,2% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut jetojnë në varfri të plotë...

22,2% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut jetojnë në varfri të plotë. Në nivel botëror, rreth 2 miliardë njerëz në botë janë të rrezikuar nga varfëria, ndërsa 800 milionë kanë mungesë të ushqimit, thonë nga Kryqi i Kuq.

“Varfëria në përmasa botërore është shumë e shprehur. Të dhënat flasin se afër dy miliard e popullatës së përgjithshme në botë janë të rrezikuar nga varfëria. Nga ai numër mund të themi se në varfëri ekstreme gjenden më shumë se 750 milion banorë në tërë botën dhe një numër i konsiderueshëm i afër 800 milionëve kanë mungesë të ushqimit. Në rrafsh nacional në kuadër të shtetit, afër 22.2% e popullsisë në RMV është në rrezik, përkatësisht në situatë varfërie”,- deklaroi sekretari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.

Këto të dhëna i prezantoi Kryqi i Kuq në vend me rastin e javës së solidaritetit, e cila do të realizohet prej 16 deri më 21 prill, me ç’rast 200 deri 300 vullnetarë të organizatave të ndryshme në qendër të Shkupit, Manastirit, Prilepit, Gostivarit, Gjevgjelisë, Strumicës, Radovishit, Koçanit dhe Vinicës, duke filluar prej orës 10.00 deri në orën 18.00 do të grumbullojnë produkte ushqimore, veshëmbathje dhe të holla për personat në nevojë. (Rejhan Bushi Metaj, TVM2)