Maqedoni
Rasti “Talir”, munguan përfaqësuesit e VMRO-së, anulohet seanca
16.04.2019 14:33
Është anuluar për më 16 maj gjykimi për lëndën “Talir” të Prokurorisë Speciale....

Në gjykimin e sotëm munguan përfaqësuesit e autorizuar të VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev dhe Naum Stoillkovski. Pala mbrojtëse njoftoi se përfaqësuesit e partisë nuk do të mund të marrin pjesë në gjykim për shkak të obligimeve rreth fushatës për zgjedhjet presidenciale. Por, ky njoftim në minutën e fundit bëri që prokurorja e PSP-së, Lençe Ristovska, të deklarojë se ky është tentim që të akuzuarit ta stërzgjasin gjykimin.
Ajo propozoi partia t’i autorizojë më shumë persona. Gjykatësi Shabani e anuloi gjykimin dhe publikisht i bëri vërejtje VMRO-DPMNE-së, e cila në këtë rast është e akuzuar si subjekt juridik bashkë me ish kreun e saj, Nikolla Gruevski, dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ata akuzohen se në mënyrë të paligjshme kanë marrë të paktën 4,6 milionë euro, më pas kanë organizuar që këto para të paguhen në xhirollogarinë e partisë përmes urdhërpagesave në emër të personave të ndryshëm.
