Maqedoni

“Dhuna në Kuvend”, Veljanovski ftohet në prokurori

16.04.2019 16:16

Ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, sot është thirrur në Prokurorinë Themelore...

Ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, sot është thirrur në Prokurorinë Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsion, ku është njoftuar me dëshmitë për rastin e dhunës së “27 prillit” në Kuvend. Në dalje nga prokuroria, Veljanovski shkurt tha se i është përgjigjur ftesës së prokurorisë.
 
- “Isha i ftuar në prokurori dhe iu përgjigja ftesës”,- theksoi Veljanovski.
- U njoftuat me dëshmitë?
- “Jo”,- u përgjigj ai. 
 
Dy muaj më parë, Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion hapi hetim për porositësit dhe organizatorët e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvend. 
 
Përveç Veljanovskit, të dyshuar si organizatorë dhe porositës të dhunës në Kuvend janë edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, që është i arratisur në Hungari, si dhe ish zyrtarët tjerë, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët dyshohen për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit”. 
 
Kohë më parë gjykata me propozim të prokurorisë kërkoi paraburgim, por kuvendi pas disa vërejtjeve procedurale nuk votoi për t’ia hequr imunitetin deputetit, Trajko Veljanovskit, prandaj ai vazhdon të mbrohet në liri. 
 
Mile Janakievskit iu zëvendësua masa e paraburgimit efektiv me masën e arrestit shtëpiak. Spiro Ristevski është akoma në paraburgim, ndërsa pritet ekstradimi i Nikolla Boshkovskit nga Greqia.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI