Maqedoni
“NLB” me detaje të reja, nga filiali në Butel u vodhën 150.000 euro
16.04.2019 16:31
Banka “NLB” ka dalë me të dhëna të sakta për sasinë e parave që u vodhën nga filiali i saj në Butel gjatë grabitjes së armatosur...

Janë grabitur 150 mijë euro, tre të punësuar janë lënduar dhe të njëjtit pas trajtimit mjekësor ndodhen në kurim shtëpiak, thuhet në njoftimin e bankës.
“Dy të punësuar në filialin e bankës, të cilët u plagosën më lehtë, janë lëshuar për kurim shtëpiak. Edhe i punësuari i sigurimit, i cili po ashtu u plagos gjatë vjedhjes, pas marrjes së ndihmës shëndetësore është lëshuar për kurim shtëpiak. Hetimet kanë vërtetuar se janë grabitur 150.000 euro”,- thuhet në njoftimin e bankës “NLB”.
Filiali që u sulmua, sot nuk ka punuar, megjithatë prej të mërkurës do të vazhdojë si zakonisht shërbimi i klientëve.
Nga banka thonë se po bashkëpunojnë me organet kompetente për zbardhjen sa më të shpejtë të rastit. Këto të fundit vazhdojnë hetimet pa dhënë hollësi në të mirë të procesit hetimor.
Të hënën, dy orë pas vjedhjes së armatosur, afër varrezave në Butel është gjetur një veturë e djegur e markës “Golf 5”, e cila besohet se është përdorur nga grabitësit.
GYLTENE SINANI
