Maqedoni
Zgjedhjet Presidenciale 2019, Pendarovski tubim në Kumanovë
16.04.2019 16:30
Kandidati për kryetar shteti nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, mbrëmë ftoi banorët e Kumanovës

Kandidati për kryetar shteti nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, mbrëmë ftoi banorët e Kumanovës, që masovikisht të dalin dhe votojnë në zgjedhjet presidenciale. Ju kisha lutur për mobilizim sa më të madh politik, që të përkrahim politikat e kësaj qeverie, tha Pendarovski, sepse, sipas tij, për dy muaj presim të marrim datën për fillimin e negociatave me BE-në. Pas këtij procesi do të kemi qasje deri tek fondet evropiane, që arrin shumën deri më 100 milion euro për zhvillim të shoqërisë.
Ai më tej shtoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes me Bullgarinë dhe arritjen e marrëveshjes për kontestin e emrit me Greqinë, është koha për zhvillimin e ekonomisë dhe parandalimin e shpërnguljes së të rinjve. Sipas tij, në plan të brendshëm vendi arriti edhe kohezion të brendshëm me përmbylljen e Marrëveshjes së Ohrit dhe pas kësaj na mbetet përkushtimi për zhvillim ekonomik.
“E përmbyllëm përfundimisht Marrëveshjen e Ohrit me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe pas tetëmbëdhjetë vitesh ky ligj definitivisht u arkivua si e arritur pozitive. Arritëm edhe kohezion të brendshëm, tani më nuk kemi të nënvlerësuar dhe të harruar. Me arritjen edhe të këtij qëllimi, na hapen dyert drejt integrimit euroatlantik dhe me të drejtë mund ta shpallim këtë vit dhe vitet e radhës si vite për zhvillim të hovshëm ekonomik. Se vendi po ecën në kahje të duhur, konfirmim janë 625 milion euro investime të huaja. Pas dhjetë vitesh sundim të regjimit, po hapen perspektivat evropiane që të ndërpritet trendi i shpërnguljeve të të rinjve, që të rinjve t’u sigurohet jetesë më e mirë dhe vende të reja të punës. Prandaj unë nga Kumanova ju ftoj që të bashkuar të gjithë të ecim para drejt realizimit të vizionit tonë opsionit që na shpie drejt NATO-s dhe BE-së”,- tha kandidati i LSDM-së për kryetar shteti, Stevo Pendarovski.
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimin me banorët e Sarajit tha se BDI do përkrah kandidatin konsensual, i cili do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në familjen evropiane.
“Tash kemi hapur një kapitull të ri për presidentin e përbashkët. Sot nuk është koha për t’u thirrur në shqiptari. Sot është koha e punës, sot kërkohet sundimi i së drejtës, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, arsim sa më të mirë, shëndetësi më të mirë, infrastrukturë më të mirë, pasi ne pretendojmë shumë shpejt me këto vlera që ndërtojmë të jemi anëtarë të BE-së, ashtu siç jemi të NATO-s”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ftoi qytetarët që më 21 prill të votojnë për një filozofi të re, për një koncept që shqiptarët i lartëson, sepse, sipas tij, shqiptarët duhet “të investojmë sot për të korr në mot”.
FLUTURA LATIFI
