Botë
Djegia e katedrales Notre Dame, hetimet vazhdojnë, shpëtohet koleksioni i artit
16.04.2019 18:25
Policia po vazhdon hetimet për të gjetur se çfarë shkaktoi zjarrin që shkatërroi katedralen e Notre Dame në Paris.....

Qindra zjarrfikës u ballafaquan me zjarrin gjatë natës, për të ndalur shkatërrimin e plotë të monumentit 850 gotik vjeçar, pjesë e trashëgimisë botërore me vlera të padiskutueshme jo vetëm fetare. Zjarri, që shpërtheu dje pasi turmat e fundit të turistëve përfunduan vizitat në orën 7 pasdite, u vu përfundimisht nën kontroll gati nëntë orë më vonë. Prokuroria po e konsideron aktualisht zjarrin si aksident tragjik dhe jo zjarrvënie apo terrorizëm.
“Hetimet po vazhdojnë. Në katedrale po zhvilloheshin punime, pra sigurisht që ka pyetje në këtë drejtim. Por, nuk mund të komentoj, pasi ende po hetojmë. Zjarri është vënë nën kontroll, por nuk është shuar tërësisht. Ka ende pjesë ku po punohet për shuarjen e tij, sepse kishim zjarre të reja brenda natës. Zjarri u shua por rreziku nuk është larguar. Çështja shqetësuese tani është nëse do të mbajë struktura e kjo duhet vlerësuar nga ekspertët”,- tha ministri i punëve të brendshme, Laurent Nunez.
Thesaret e katedrales, kryqi dhe altari kanë shpëtuar. Rreth 16 statuja bakri ishin zhvendosur nga pjesa e sipërme e saj gjatë punimeve të restaurimit. Zjarrfikësit kanë shpëtuar koleksionin e paçmuar të artit dhe relikteve të marra nga perandoria bizantine në 1238-n e të dërguara në Paris nga Luigji i IX. Edhe përkundër shkatërrimit, Franca do ta rindërtojë sërish katedralen duke e rikthyer në gjendjen e mëparshme.
Presidenti, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë monumentin, i cili konsiderohet "shpirt i popullit francez". Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, tha se do të mbajë një konferencë donatorësh për rindërtimin e katedrales. Miliarderi francez, Francois-Henri Pinault, ka dhuruar tashmë 100 milion euro për këtë qëllim.
LEUNORA KALIQI
