Botë
Një miliard euro për “Notre Dame”, në vetëm dy ditë
17.04.2019 11:50
Fondi për rinovimin e Katedrales “Notre Dame” të Parisit, të dëmtuar rëndë nga zjarri i dy ditëve më parë....

Fondi për rinovimin e Katedrales “Notre Dame” të Parisit, të dëmtuar rëndë nga zjarri i dy ditëve më parë, ka mbërritur këtë të mërkurë në kuotën e një miliard eurove, teksa presidenti Macron u zotua se ajo do të rindërtohet brenda 5 viteve.
Vetëm dy ditë pas “ferrit” që shkrumboi çatinë dhe rrëzoi spiralen në formë koni mbi katedralen simbol të katolicizmit francez, organizatorët e apelit për ndihmë për restaurimin e saj, deklaruan se fondi po rritet me ritme të jashtëzakonshme. Stefhan Bern, personalitet televiziv që lançoi thirrjen me shprehjen se “Notre Dame ishte një mik i ngushtë që për pak u shua”, njoftoi mëngjesin e kësaj të mërkure se donacionet kapën shifrën e një miliard eurove.
Macron u zotua ndërkohë në një fjalim televiziv natën e së martës se katedralja, do të rindërtohet “Edhe më e bukur” brenda 5 viteve të ardhshme, ndërsa nxiti francezët të unifikohen.
