Botë
Trump i vë veto rezolutës për luftën në Jemen
17.04.2019 12:14
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka vënë veto një projektligji të miratuar nga Kongresi amerikan, për t’i dhënë fund luftës së udhëhequr nga sauditët në Jemen....

Trump e ka përshkruar këtë rezolutë si të “panevojshme” dhe tentim të “rrezikshëm” për të zvogëluar fuqitë e tij të garantuara me kushtetutë.
“Kjo rezolutë është e panevojshme dhe tentim i rrezikshëm për të zvogëluar autoritetin tim kushtetues. Ajo rrezikon jetën e qytetarëve amerikanë dhe shërbyesve tanë, si sot, ashtu edhe në të ardhmen”,- është shprehur presidenti amerikan.
Kjo është hera e dytë që Trumpi ka shfrytëzuar të drejtën e vetos, prej kur ka fituar pozitën e presidentit më vitin 2017. Kundërshtitë në Kongres për politikën e tij në Jemen, janë rritur vitin e kaluar, pasi ishte kuptuar se agjentët sauditë kanë vrarë gazetarin, Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Kjo rezolutë, që ishte miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve në muajin prill, derisa në Senat në muajin mars, i kufizon presidentit fuqinë e të dërguarit të trupave në konflikte.
Jemeni është shkatërruar nga një konflikt, që është përshkallëzuar më 2015, pasi rebelët huthi kanë pushtuar pjesën më të madhe në perëndim të këtij shteti dhe kanë detyruar presidentin, Abdrabbuh Mansour Hadi, të largohet nga territori i Jemenit.
