Maqedoni

Zgjedhjet Presidenciale 2019, Siljanovska - Davkova mbajti tubim në Gazi Babë

17.04.2019 12:50

Kandidatja për president e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mbajti mbrëmë tubim në komunën e Gazi Babës në Shkup....

Siljanovska dhe lideri i VMRO-së, Mickovski, kërkuan mbështetje për një votë më shumë se kundërkandidatët, por fitoren finale e presin më 5 maj. Ata  kërkuan mbështetje edhe nga etnitetet tjera, për ta rrëzuar, siç thonë, këtë të keqe të përbashkët dhe pohuan se pa shqiptarët, turqit, vllehët nuk mund të ketë demokraci të plotë në vend.
 
“Forca nuk do të thotë autoritet, autoritet nënkupton që mund të ndikosh në mendimin e dikujt rreth ndonjë vendimi, edhe atë me fakte dhe argument jo me kërcënime. Ndërsa forca nënkupton kur ta keqpërdorësh statusin tuaj, përmes kërcënimeve, frikës etj. Kryetari i VMRO-DPMNE-së disa ditë po u drejtohet nëpunësve shtetërorë, por edhe të gjitha etniteteve, maqedonas, shqiptarë, turq, vlleh, serbë, se ka ardhur koha që ne të ndërtojmë një bashkëjetesë demokratike dhe jo ndarje. Maqedonia asnjëherë më e ndarë se sot nuk ka qenë, ndërsa nga ana tjetër thërrasin në pajtim, por pajtimi nuk mund të bëhet me veprime të tilla. Po u drejtohemi të gjitha etniteteve, sepse pa ato nuk mund të ketë demokraci, sepse Maqedonia është atdheu i të gjithëve. Pa dialog të ndërsjellë dhe pa kritika nuk mund të ecim përpara, sepse kritika është gjë e shëndoshë, e cila na përmirëson në ecurinë tonë politike. Ne na duhet një shtet funksional europian, por jo me imponim të politikave, prandaj po thërrasim në fitore në këto zgjedhje, me qëllim që të njëjtën frymë të fitoreve ta përcjellim edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”,- deklaroi kandidatja për kryetare nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova.
 
“Ne dëshirojmë të ecim përpara sepse ne i takojmë Europës, në atë në të cilën kemi qenë, në atë Europë ku ata asnjëherë nuk do të mund të arrijnë, por dëshirojmë të shkojmë atje me dinjitet, me kokën lart dhe duke na respektuar personat që e udhëheqin BE-në. Ne nuk dëshirojmë të largohemi nga historia jonë, nga e kaluara jonë dhe nga tradita jonë. Ata kanë probleme të shumta mes tyre, ndërsa ne kemi probleme me ata, prandaj ky koalicion me popullin ka gjasa që këto probleme të largojë nga vetja edhe atë më datën 21 prill, e pastaj edhe më 5 maj. Pse po themi se LSDM po merret me gënjeshtra dhe manipulime, sepse ata po shkelin mbi premtimet e tyre, ku janë 100.000 denarët për mjekët, ku janë subvencionet në bujqësi, pse studentët vijojnë ligjëratat dhe provimet sikurse në shekullin e 19’, kanë premtuar pensione më të larta, ndërsa nga 1 prilli i kanë ulë nga 400 deri më 700 denarë”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Mickovski po ashtu pranoi se VMRO-DPMNE në të kaluarën edhe ndoshta ka bërë gabime, por është në gjendje edhe të kërkojë falje për të njëjtat.
 
FITIM KRYZIU