Zgjedhjet Presidenciale, hidhen votat e para në kutitë zgjedhore
Janë hedhur votat e para për kandidatët të cilët garojnë në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit....

Janë hedhur votat e para për kandidatët të cilët garojnë në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit. Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve sot kanë votuar anëtarët e këshillave zgjedhorë të cilët duhet të zbatojnë zgjedhjet në përfaqësitë diplomatiko-konsullore.
“Votimi ka filluar prej orës shtatë të mëngjesit dhe vijon në mënyrën më të mirë të duhur dhe do të zgjasë deri në orën 19 në mbrëmje. Presim këta anëtarë të këshillave zgjedhorë të vijnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre të votës. Këshilli zgjedhor i cili e zbaton këtë zgjedhje, gjegjësisht Këshilli Zgjedhor i vendvotimit 50, është i gatshëm dhe i përgatitur për ta kryer këtë votim”,- tha Admir Shabani nga KShZ.
KShZ nesër në mëngjes do të shpërndajë materialin zgjedhor në 80 komisionet komunale zgjedhore të cilat më pas do të shpërndajnë të njëjtin nëpër vendvotime ditën e shtunë.
“Materialet janë fazën e përfundimit tanimë dhe nesër në mëngjes do të fillojë distribuimi i këtij materiali, gjegjësisht materialit të besueshëm zgjedhor deri te 80 komisionet komunale të zgjedhjeve. Do të fillojmë nga Manastiri, aty edhe ku shtypet materiali, dhe do të distribuohet në këto komuna, pastaj komisionet komunale të zgjedhjeve do ta distribuojnë materialin nëpër këshillat zgjedhorë dhe këtë aktivitet do ta kryejnë ditën e shtunë”,- tha Admir Shabani nga KShZ.
Më 20 prill, sipas ligjit, duhet të votojnë personat të cilët ditën e votimit ndodhen në mbajtjen e masës arrest shtëpie personat e sëmurë dhe të pamundur, personat të cilët janë shpërngulur brenda vendit dhe personat të cilët ndodhen në institucionet ndëshkuese përmirësuese. (Naim Ramadani, TVM2)
