Maqedoni

Sektori civil: Do të ndihmojmë vendin në negociatat me BE-në

17.04.2019 15:55

Sektori civil shprehet i gatshëm për të ndihmuar vendin në rrugën reformuese dhe negociatat....

Sektori civil shprehet i gatshëm për të ndihmuar vendin në rrugën reformuese dhe negociatat që do të pasojnë pas marrjes së datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, por përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet përkatësisht administratën shtetërore. Kështu vlerësuan  Urania Pirovska nga Komiteti i Helsinkit dhe Simonda Kacarska nga Instituti për politika evropiane, gjatë prezantimit të Raportit në hije “Kapitulli 23”. 
 
“Ne ndajmë energji të madhe për të ndihmuar qeverinë të kalojë  tërë procesin e reformave, por nuk mund të pritet se sektori civil të jetë faktor kryesor në kalimin e këtij procesi. Para së gjithash duhet të ekzistojë ngritja e kapaciteteve në administratën shtetërore, a kjo nuk mund të ndodh nëse edhe më tej ekziston partizimi i administratës shtetërore”,- tha drejtoresha e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.
 
“Kapacitetin që duhet ta posedojë administrata nuk mund ta plotësojë sektori civil. Sistemi i organizimit të bisedimeve ka shumë modele, prandaj çdo vend duhet ta gjejë atë që i konvenon. Sektori civil për shkak të kushteve specifike të zhvillimit ka edhe dozë të caktuar të ekspertizës, që mund të ndihmojë por gjithsesi ajo nuk mund të jetë bazike”,- theksoi Simonda Kacarska nga Instituti për politika evropiane.
 
Njëherit ata theksuan se vendet e BE-së po ndjekin me vëmendje se si do të zgjidhet çështja e ruajtjes së pavarësisë së Prokurorisë Speciale në Ligjin e ri për prokurorinë. Po ashtu ato theksuan edhe rëndësinë e miratimit të Ligjit të ri për luftë kundër korrupsionit dhe mënyra e zgjedhjes së përbërjes së re të komisionit anti-korrupsion. Në raportin në hije për të drejtat e njeriut theksohen vonesat me hapjen e pjesës së re të burgut në Idrizovë dhe burgun për të miturit në Tetovë, si dhe të drejtat themelore të romëve. 
 
REXHEP QAMILI