RMV dhe Mali i Zi, thellojnë bashkëpunimin në sferën e kulturës
Ministri i kulturës, Asaf Ademi, dhe homologu i tij malazez, Aleksandar Bogdanoviç....

Ministri i kulturës, Asaf Ademi, dhe homologu i tij malazez, Aleksandar Bogdanoviç, nënshkruan programin për bashkëpunim në sferën e kulturës për periudhën 2019-2022. Bashkëpunim me Malin e Zi në sferën e kulturës kishte edhe vitet që lamë pas, sidomos në sferën e teatrit, festivaleve, si dhe bashkëpunim mes aktorëve dhe regjisorëve, tha ministri Ademi.
“Me programin e ri lidhjet tona do të thellohen edhe më tepër në të gjitha veprimtaritë në fushën e kulturës. Në këtë rast dua të theksoj edhe bashkëpunimin tonë të përbashkët në planin multilateral në kuadër të forumit të kulturave sllave traduki, Këshillit të ministrave të kulturës nga Evropa juglindore në kuadër të platformës 16 plus 1 për bashkëpunim mes vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore me Republikën Popullore të Kinës”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Sipas ministrit, Malazes Bogdanoviç, vlerat e përbashkëta të të dyja vendeve janë multikulturalizmi dhe multietniciteti, andaj bashkëpunimi do të thellohet në shumë sfera, e në veçanti në sferën e trashëgimisë kulturore.
“U morëm vesh që periudhën që vjen t’i afirmojmë lokalitetet arkeologjike që deri më tani nuk janë mbrojtur siç duhet. Është i rëndësishëm bashkëpunimi institucional, sidomos me Qendrën rajonale për digjitalizimin e trashëgimisë kulturore në Shkup dhe mendoj se përvojat e vendit tuaj janë të çmueshme për Malin e Zi, andaj do organizojmë edukim të kuadrit deficitar në vendin tonë”,- tha ministri i kulturës i Malit të Zi, Aleksandar Bogdanoviç.
Delegacioni i Malit të Zi sonte në Muzeun e Luftës Maqedonase do prezantojë edhe ekspozitën “Moda evropiane në oborrin malazez”. (Flutura Latifi, TVM2)
