Maqedoni
Borxhet e komunave, Fazliu: Përgjegjësi e kryetarëve si i harxhojnë paratë
17.04.2019 16:52
Procesi i kthimit të borxhit të komunave vazhdon.....

Qeveria kohë më parë ndau 50 milion euro në mënyrë që të mund të funksiononin komunat që kishin borxhe, madje edhe xhirollogari të bllokuara. Në këtë mënyrë komunat filluan të kthenin borxhet e krijuara. Deri në fund të qershorit pritet të përfundojnë bisedimet me kreditorët e në fund të vitit të kthehen të gjitha borxhet që kanë komunat.
Këta të fundit e kanë për obligim të japin detaje të hollësishme për ecurinë e kthimit të borxheve. Por, ministri Fazliu anashkaloi përgjigjen në pyetjen se çfarë do të ndërmerret kundër atyre krerëve komunalë që në një kohë kur komunat që drejtojnë ende nuk kanë shlyer borxhet, ata paratë i harxhojnë për luks. Fazliu tha se u mbetet atyre në ndërgjegje se si veprojnë dhe u apeloi të jenë të përgjegjshëm dhe transparentë në harxhimin e parave publike.
“Qeveria mori një hap historik ku arriti që të sigurojë mjete për t’i mbuluar komunave 51% të borxheve të tyre. Kur dikush të jep dorën për të ndihmuar për të dalë nga një situatë e palakmueshme, pastaj ngelet në ndërgjegjen dhe në përgjegjësinë e kryetarëve të komunave se si do t’i harxhojnë mjetet tjera të komunës. I ngelet çdo kryetari që edhe mjetet tjera buxhetore të komunës t’i harxhojë në mënyrë transparente për arsye se përgjegjësinë kryesore do ta bartin drejtpërdrejt nga qytetarët”,- theksoi ministri i vetëqeverisjes lokale, Suhejl Fazliu.
Ai është optimist se komunat do ta respektojnë afatin ligjor për shlyerjen e borxhit të tyre. Sivjet nuk janë paraparë mjete shtesë për kthimin e borxheve të shtresuara që i kanë njësitë e vetëqeverisjeve lokale dhe shfrytëzuesit në kompetencë të tyre.
Ministri i pushtetit vendor thotë ndërkohë se po punohet për zhvillim të barabartë, e kjo ka filluar përmes 43 projekteve përmes të cilave do të financohen, sidomos projekte për zhvillimin e fshatrave dhe zonave me nevoja specifike zhvillimore.
GAZMEND KURTISHI
