Maqedoni
Zgjedhjet Presidenciale 2019, Blerim Reka takoi banorët e Çairit dhe Butelit
17.04.2019 17:17
Kandidati për president, Blerim Reka, që ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa....

Kandidati për president, Blerim Reka, që ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa ka vazhduar fushatën, duke shkuar derë më derë për të prezantuar programin e tij politik banorëve të komunës së Çairit dhe Butelit. Ai tha se shqiptarët në këto zgjedhje duhet të dëshmojnë se nuk e pranojnë konceptin e kombit statistikor.
“Me votën tuaj tregoni se ne nuk jemi 20 përqindëshi anonim, siç na trajtojnë 20 vite. Dëshmoni se ju nuk e pranoni konceptin e kombit statistikor. Tregoni se ju nuk jeni vetëm votues, por edhe të votuar. Sepse deri më tash shqiptari asnjëherë nuk u zgjidh president i këtij vendi, ishim 100 për qind tatim pagues, por ende tash e 20 vite na trajtojnë 20%”,- u tha Reka banorëve të Çairit me të cilat bisedoi edhe për problemet e përditshme me të cilat përballen.
Ndërkohë, në intervistën e cila do të transmetohet të enjten në TVM2, Reka premtoi se nëse zgjidhet president me përvojën e tij diplomatike do të ndihmojë vendin në përshpejtimin e hapave drejt integrimit në BE.
“Përvoja ime diplomatike 4-vjeçare si ambasador i Maqedonisë në BE me njohuritë, me përvojën dhe lidhjet e mia personale në Bruksel, unë do të jem vetëm ndihmesë e Qeverisë, ndihmesë komplemetare, assesi pengesë, assesi bllokadë që të arrijë në cakun e përbashkët, e kjo është fitimi i përbashkët dhe të nesërmen edhe negocimi i 35 kapitujve për anëtarësim”,- tha kandidati për president, Blerim Reka.
Reka po ashtu tha se qytetarët po shpërngulen jo vetëm nga papunësia, por edhe nga korrupsioni institucional, e nepotizmi, ndërsa shtoi se do të mundohet që përmes politikave në kompetenca të presidentit, të ndërtojë një stabilitet juridik për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kontributi im është nëse do të arrijë që me politikat strategjike si president i shtetit ta krijoj një stabilitet politik dhe një siguri juridike për tërheqjen e investimeve të huaja kapitale, kini parasysh se ne mund të bëjmë çudira, por pa stimuluar dhe pa motivuar tërheqje e kapitalit të huaj, një shtet 2 milionësh i cili nuk ka as naftë as diamante as gaz, nuk mund të shkojë përpara”,- theksoi kandidati për president, Blerim Reka.
Në një komunikim për mediat, ndërkohë, shtabi zgjedhor i kandidatit për president, Blerim Reka, bën të ditur se sot këtë shtab e ka vizituar kandidatja e VMRO-së, Siljanovska. Vizita vjen me iniciativë të Rekës, i cili i ka ftuar dy kundërkandidatët në kafe në shtabin e tij zgjedhor. Nga ky shtab shpresojnë që ftesës t’i përgjigjet edhe kandidati i koalicionit qeverisës, Stevo Pendarosvki.
ZIKIRJA MEXHITI
