Ngjarjet e dhunshme në Kuvend, Ruskoska: Aktakuza pritet në fund të majit
Më së voni deri në fund të muajit maj pritet të ngrihet aktakuzë....

Më së voni deri në fund të muajit maj pritet të ngrihet aktakuzë për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme të “27 prillit” në Kuvend.
Kështu ka njoftuar prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska, e cila nuk deshi të precizojë profilin e dëshmitarëve të cilët i kanë dëgjuar gjatë hetimit. Ruskoska nuk pret që së shpejti t’i jepet mundësia që të marrë në pyetje ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili është në arrati.
“Një pjesë të mirë të dëshmitarëve të cilët i planifikova t’i dëgjoj i dëgjova. Këtë javë në vijim është marrja në pyetje e të akuzuarve. Javën e ardhshme me siguri se do të dakordojmë me mbrojtjen që të shohim dëshmitë dhe të shoh se nëse ka nevojë të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitarë tjetër, me çka do të mbaroj hetimin. Më së voni deri në fund të muajit maj do të dorëzohet aktakuza kundër organizatorëve të ngjarjeve të “27 prillit””,- theksoi prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska.
Lidhur me reagimet se një pjesë e të paraburgosurve në këtë rast vlerësojnë se paraburgimi që i është caktuar është i pabazë dhe se akoma nuk i kanë parë dëshmitë, Ruskoska tha se vendimet lidhur me paraburgimin i jep gjykata.
“Unë vlerësoj se me bazë është caktuar. Bëhet fjalë për vepër serioze penale me një fazë të madhe të hetimit dhe dëshmive. E drejta e çdokujt është të dorëzojë aplikim deri tek gjykata në Strasburg, por që mendoj se cilado gjykatë për këtë lloj të veprës penale do të thotë se paraburgimi prej katër muaj është paraburgim i gjatë”,- tha prokurorja për krim të organizuar dhe korrupsion, Villma Ruskoska.
Si organizatorë dhe porositës të dhunës në Kuvend janë ish kryeministri, Nikolla Gruevski, që është i arratisur në Hungari, Trajko Veljanovski, si dhe ish zyrtarët tjerë, Mile Janakievski, Spiro Ristovski dhe Nikolla Boshkovski i arratisur në Greqi. Ata dyshohen për veprën penale “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit”.
Kohë më parë avokatët mbrojtës të të akuzuarve për ngjarjet e dhunshme të Kuvendit kanë dorëzuar kërkesa deri tek presidenti Ivanov për amnistimin e të akuzuarve.
Deri më tani akoma nuk ka asnjë përgjigje nga presidenca lidhur me kërkesat e parashtruara dhe nëse Ivanov do t’i amnistojë të akuzuarit, përveç ekspertëve, që një veprim të mundshëm e shohin si të kundërligjshëm. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
