Vazhdojnë bisedimet për Ligjin e Prokurorisë, Boshnjakovski: Materialet e VMRO-së, anti-europiane

17.04.2019 18:14

Vazhdojnë bisedimet e grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike...

Vazhdojnë bisedimet e grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës për Ligjin për Prokurori Publike. Këtë informacion e konfirmon zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, pasi, sipas tij, materialet që ka dorëzuar VMRO–DPMNE në Ministrinë e Drejtësisë, këtë fundjavë, nuk janë në përputhje me bisedimet europiane.

“Materialet që kanë dorëzuar VMRO-DPMNE në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është kompetente për bisedimet, nuk janë në përputhje me bisedimet europiane, andaj bisedimet vazhdojnë edhe më tej”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

ÇELJA E BISEDIMEVE ME BE-NË, BOSHNJAKOVSKI: VARET NGA MIRATIMI I LIGJIT PËR PROKURORINË

Miratimi i Ligjit për Prokurori Publike, në të cilin ngërthehet edhe fati i Prokurorisë Speciale është pakoja e fundit e reformave që duhet të miratohen para marrjes së rekomandimit pozitiv për çeljen e bisedimeve me BE-në. Zëdhënësi qeveritar shpreson në miratimin e tyre, që bisedimet të vazhdojnë me intensitetin e duhur.

“Pa kurrfarë dileme, bisedimet vazhdojnë dhe do të përmbushim pjesën tonë të obligimeve. Nuk ka kurrfarë ulje të intensitetit të bisedimeve. E vetmja gjë që është e lidhur politikisht me këtë proces është ligji për PSP-në, gjegjësisht presim që kjo të jetë pjesa e fundit e reformave të pakos së ligjeve të cilat do të miratohen”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Nga VMRO-DPMNE ditë më parë janë distancuar nga mbartja e përgjegjësisë nëse vendi nuk merr datën për çeljen e bisedimeve për shkak të Ligjit për Prokurori Publike.

Dallimet kryesore midis pushtetit dhe opozitës mbeten fati i lëndëve të futura në procedurë dhe përdorimi i “bombave” si dëshmi gjyqësore. (Meral Ismaili, TVM2)