Anti-korrupsioni pranon kundërshtimet e VMRO-së
Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsion....

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsion do të kërkojë llogari nga Agjencia për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural, e cila në periudhë zgjedhore u ka ndarë subvencione vreshtarëve. Komisioni pranoi kundërshtimin e VMRO-DPMNE-së kundër Agjencisë për përkrahje financiare dhe mori vendim që të nis procedurë.
“Kundërshtimi i parashtruar nga organizator i fushatës zgjedhore, VMRO-DPMNE, kundër Agjencisë për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillimin Rural, për mosrespektimin e dispozitave të ligjeve të caktuara miratohet dhe KSHPK, konform kompetencave të parapara me ligj, do të marrë masa dhe do të nis procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë para organeve kompetente”,- tha anëtarja e KShPK-së, Katica Nikollovska.
KSHPK: NUK NDAHEN SUBVENCIONE NË KOHË ZGJEDHJESH
Komisioni pranoi pjesërisht edhe dy kundërshtimet e VMRO-DPMNE-së kundër kryetarit të komunës Gazi Babë dhe komunës Shtip për shkelje të Kodit Zgjedhor. Kreu i Gazi Babës në kohë zgjedhore ka marrë vendim që sigurimi fizik i shkollave të jetë në kurriz të komunës, ndërkaq ai i komunës Shtip, në bashkëpunim me disa ndërmarrje publike, u ka ndarë dru për ngrohje familjeve në nevojë.
“Pretendimet e kundërshtimit janë të bazuara. Kundërshtimi miratohet dhe KSHPK sjell vendim për fillim të procedurës kundërvajtëse për kundërshtimin parashikuar me nenin 179 paragrafi 1 të Kodit Zgjedhor”,- tha anëtari i KShPK-së, Shemsho Sallai.
VMRO-DPMNE parashtroi katër kundërshtime, pas refuzimit të tetë prej nëntë ankesave të saj, lidhur me shkeljen e Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, me vetëiniciativë Komisioni do të shqyrtojë edhe dy raste të tjera të dyshuara për shkelje të Kodit Zgjedhor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
