Lavrov: Për Kosovën do të pranojmë zgjidhjen që i përshtatet Serbisë
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se Moska do të pranojë çdo zgjidhje për Kosovën...

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se Moska do të pranojë çdo zgjidhje për Kosovën që do të jetë e pranueshme për Serbinë.
“Në këtë kontekst ne do të kontribuojmë në çdo mënyrë të mundshme në gjetjen e zgjidhjes. Por, çfarë zgjidhje konkrete mund të mbështesë Rusia? Ne, kemi theksuar vazhdimisht se do të pranojmë çdo zgjidhje që i përshtatet Serbisë, pikë”,- ka thënë Lavrov pas takimit që pati në Moskë me ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.
Nga ana e tij, Daçiq tha se Serbia nuk është në gjendje të mbrojë interesat e vendit pa ndihmën e Rusisë.
Ai theksoi se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa konsultime me Rusinë. Daçiq po ashtu tha se u bisedua edhe për takimin mes presidentin rus, Vladimir Putin dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që do të zhvillohet në kuadër të forumit “Brezi dhe Rruga”, i cili mbahet më 25 deri më 27 prill në Kinë.
Takimi Vuçiq-Putin mbahet dy ditë para se në Berlin të takohen udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një iniciative të dy vendeve evropiane, Gjermanisë dhe Francës për të gjetur një zgjidhje e cila do të zhbllokonte procesin e dialogut mes dy vendeve si dhe përafrimin e qëndrimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese për të dyja vendet.
