Zgjedhjet Presidenciale 2019, Stevo Pendarovski mbajti tubim në Shtip
Kandidati për president i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski...

Kandidati për president i koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski, mbrëmë mbajti tubim para qytetarëve të Shtipit, nga ku ai bëri thirrje që të mbështetet opsioni i vetëm i suksesshëm për shtetin “së bashku përpara” nëse qytetarët dëshirojnë vend me prosperitet.
“Nëse opsioni tjetër i opozitës fiton zgjedhjet presidenciale, ta dini se nuk do të shohim as “E” prej fjalës Europë, as |N| prej fjalës NATO. Menjëherë do të jemi të bllokuar dhe do të vendosemi anash në “frigorifer”, aspak nuk do të flasin për ne. Pyetja është a duhet tani të rrezikojmë kur jemi në prag të integrimeve të mëdha, mendohuni mirë! Shansin e parë do ta keni më 21 prill, ndërsa më 5 maj shansin e dytë. Unë mendoj se kontrasti në këto zgjedhje është bardh e zi, si qielli me tokën. Politikën që udhëheq kundër- kandidatja ime thjesht nuk mund të realizohet. Marrëveshje më të mira nuk mund të arrihen sepse këto ekzistuesit janë më të mira për interesat shtetërore, për jetë dhe standard më të mirë të qytetarëve dhe për ndalimin e eksodin masiv të të rinjve gjatë këtyre 10-15 viteve të fundit”,- tha kandidati për president nga LSDM dhe Koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski.
Mbështetje për Pendarovskin nga Gostivari dhe Kumanova dha edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ripërsëriti se koncepti për mbështetjen e një kandidati të përbashkët për president është koncept i shteteve moderne, i Europës së bashkuar, ku të gjithë qytetarët do të jenë fitimtarë.
“A e dini sa vështirësi ka pasur derisa koncepti i Europës së bashkuar të shndërrohet në koncept të materializueshëm, shumë vështirësi të mëdha ka pasur. Dhe ka 6 vite që ne po e përpunojmë këtë koncept, këtë filozofi se çka bëhet mirë dhe më mirë për shqiptarët dhe për të gjithë tjerët. Po edhe të tjerët, bashkëqytetarët tanë maqedonas, do t’i kalojmë paragjykimet ashtu siç ne na kanë mbetur disa grimca të vogla paragjykimesh që t’i heqim ato, se ky shtet shkon përpara, duke qenë bashkë”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përfaqësuesit e dy partive politike në pushtet, LSDM-BDI, u apeluan qytetarëve që të mos kenë dyshime tek Pendarovski në bashkimin e gjithë qytetarëve dhe u premtuan se një ditë ata do të krenohen me të. (Rexhep Qamili, TVM2)
