Zgjedhjet Presidenciale, KShZ shpërndan materialin zgjedhor

18.04.2019 16:42

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka nisur shpërndarjen e materialit zgjedhor...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka nisur shpërndarjen e materialit zgjedhor, fletëvotimeve dhe materialit tjetër të nevojshëm për zgjedhjet presidenciale dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Ohër, Dibër dhe Novo Sellë, që do të mbahen këtë të diel.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Oliver Derkoski, tha se gjithçka është gati për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Anëtarët e KShZ-së e morën materialin dhe u nisën drejt destinacioneve të veta për ta dorëzuar atë materie në Komisionet Komunale Zgjedhore. Nga aspekti i përgatitjes së materialit gjithçka zhvillohet në mënyrë të përkryer dhe konsideroj se të dielën nuk do të ketë kurrfarë problemi në kuptim të cilësisë së materialit zgjedhor”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

Nga shtypshkronja ”Kiro Dandaro”, ku është shtypur materiali zgjedhor, siguruan se materiali është përpunuar në cilësinë më të lartë duke pamundësuar falsifikimin.

“Këto fletëvotimet kanë 21 mbrojtje dhe është i pamundur falsifikimi i ndonjë flete. Mbrojtje të posaçme ka edhe për procesverbalet origjinale dhe ato nuk mund të përmirësohen e as të kopjohen, me letër të posaçme dhe me të dhëna të gjeneruara për çdo vendvotim”,- tha drejtori i “Kiro Dandaro”, Dragi Milosheski.

Në listën zgjedhore janë regjistruar 1.808.131 votues, ndërsa votimin do ta zbatojnë 80 komisione komunale zgjedhore në 3.480 vendvotime. Të shtunën në 32 vendvotime në përfaqësitë konsulare diplomatike do të votojnë qytetarë nga diaspora, ndërsa për votim janë paraqitur 1.782 votues. Të shtunën do të votojnë edhe 3.583 persona të sëmurë dhe të pamundur, 1.600 të burgosur, të vendosur në burgje apo në arrest shtëpiak, si dhe shtatë persona të zhvendosur të cilët janë paraqitur në KShZ për të votuar. (Naim Ramadani, TVM2)