Drejtuesit e FFK-së vizituan FFM-në, e uruan presidentin e ri, Muhamed Sejdini

18.04.2019 17:01

Presidenti i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini....

Presidenti i Federatës së futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini, sekretari gjeneral Filip Popovski dhe zëvendës sekretari gjeneral Drilon Ganiu sot në "Shtëpinë e futbollit" pritën në takim delegacionin e Federatës së futbollit të Kosovës që udhëhiqej nga presidenti Agim Ademi, nën-kryetari Bakir Burri dhe sekretari i përgjithshëm, Erol Salihu.

Drejtuesit e FFK-së në këtë takim uruan Muamed Sejdinin për zgjedhjen kryetar i FFM-së, ndërsa përfaqësuesit e dy federatave në takim ndërruan përvoja në lidhje me organizimin e garave dhe ndeshjeve, investimit në infrastrukturë, ndërsa shfrytëzuan këtë mundësi për të dëshmuar bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes veti.

“Në emrin tim personal dhe në emër të Federatës së futbollit të Kosovës shfrytëzoj mundësinë të ju uroj për zgjedhjen tuaj president i Federatës së futbollit të Maqedonisë dhe t’ju dëshiroj shumë suksese dhe fat në të ardhmen. Duke ju njohur personalisht, jam i bindur se besimin e merituar do ta arsyetoni në mënyrën më të mirë dhe angazhimi juaj do të kontribuojë për zhvillimin e futbollit në vendin tuaj. Ne gjithmonë kemi patur marrëdhënie të shkëlqyeshme me federatën tuaj dhe mbase kjo do të jetë arsyeja që këtu ndjehemi si në shtëpinë tonë. Prandaj jemi shumë falemenderues pasi kontributi juaj ndikon edhe në zhvillimin e futbollit në rajon. Për Federatën e futbollit të Maqedonisë dëgjojmë vetëm fjalë të mira në mbledhje apo seminare të ndryshme që organizohen nga UEFA dhe FIFA. Është e qartë se me punën tuaj e keni merituar atë besim dhe nuk kemi dyshim se kjo qasje edhe në të ardhmen do t’ju sjellë rezultate të mira dhe punë të suksesshme. Shpresojmë që edhe ne si federatë më e re do të shfrytëzojmë përvojën tuaj për shumë punë”, u shpreh presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi.

"Falënderim për vizitën dhe fjalët e bukura me rastin e zgjedhjes time president i FFM-së. Ne si federatë gjithmonë jemi të hapur për bashkëpunim, posaçërisht me miqtë tanë të afërt nga rajoni dhe nuk dyshoj se ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Kjo është mundësi e mirë për të ndërruar përvojat në aspekt të organizimit të ndeshjeve, infrastrukturës së futbollit, por edhe të flasim për probleme të caktuara me të cilat përballemi këtu në Maqedoni dhe në Kosovë. Jam i bindur se në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të thellohet dhe kjo do të jetë në të mirë të dy federatave", tha presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini.

Në fund të takimit u shkëmbyen edhe dhurata ndërmjet tw dyja delegacioneve.