Ademi: Pas shpalljes së epidemisë së fruthit, prej nesër nis vaksinimi nëpër shkolla

18.04.2019 17:05

Pas shpalljes së epidemisë së fruthit, Ministria e Arsimit dhe ajo e shëndetësisë....

Pas shpalljes së epidemisë së fruthit, Ministria e Arsimit dhe ajo e shëndetësisë në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së fruthit, parashohin që prej të premtes ekipe mobile mjekësore të nisin vaksinimin në shkollat fillore dhe të mesme.

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, thotë se vaksinimi duhet të përfshijë të gjithë nxënësit, sepse kushtetuta parasheh mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve.  

“Me të vërtetë është situatë alarmante dhe të gjitha zgjidhjet tona, qofshin ato ligjore apo nënligjore, duhet të jenë në harmoni me dispozitat kushtetuese ku arsimi fillor është i detyrueshëm, gjithashtu edhe me vlerat kushtetuese që të mbrohet dhe mos cenohet shëndeti publik i qytetarëve. Në këtë drejtim do të ndërmarrim edhe hapat dhe veprimet tona, ndërsa prej nesër fillon një vaksinim në teren, vaksinim mobil nëpër shkolla me qëllim që të japim kontribut të drejtpërdrejtë në parandalimin e situatave tjera të palakmueshme”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.

Ministri Ademi sqaron se edhe në ligjin ekzistues edhe në draft ligjin që është duke e përpiluar Ministria ekziston obligimi për prindërit që gjatë regjistrimit të fëmijëve në shkollat fillore të ofrojnë prova për kryerjen e vaksinimit.

Që nga shpallja e epidemisë së fruthit edhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka paralajmëruar se fëmijët e pavaksinuar nuk do të mund të regjistrohen në çerdhe dhe shkolla.

Nga fillimi i epidemisë në Shkup, nga dhjetori i vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 961 raste të personave të prekur nga fruthi, 682 prej të cilëve në Shkup. Po ashtu nënkryeqendër janë regjistruar edhe tre të vdekur nga fruthi, fëmijë prej 5 deri në 13 muajsh, të gjithë fëmijë të pavaksinuar.

Njëherit në Klinikën e Gjinekologjisë janë regjistruar tre aborte për shkak të fruthit. Ndërsa deri tani janë vaksinuar gjithsej 19.461 fëmijë të moshës deri në 14 vjeç, 7 mijë e 542 prej të cilëve janë nga qytetet tjera të vendit. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)