Rasti"Monstra", Raufi: Do të propozojmë dëshmitarë të rinj

18.04.2019 17:24

Në mungesë të gjykatësit, Ognen Stavrev, u anulua seanca gjyqësore për rastin "Monstra"....

Në mungesë të gjykatësit, Ognen Stavrev, u anulua seanca gjyqësore për rastin "Monstra", njofton “TVM2”.

Në seancën e sotme ishte e paraparë të dëshmojnë pesë dëshmitarë të mbrojtjes nga gjykimi i parë, ndërsa nuk do të mungojnë edhe dëshmitarë të rinj, njoftoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ndër të tjera, Raufi paralajmëroi dëshmitarë të rinj për të akuzuarin, Sami Luta, të cilët do të përshkruajnë fizionominë e tij 52 ditë para vrasjes së pesëfishtë që, sipas Raufit, është në kundërshtim me përshkrimin që i ka bërë dëshmitari i mbrojtur Lutës.

“Sipas aktgjykimit të Supremes, jemi të obliguar që të gjithë ata dëshmitarë që kanë qenë deri më tani dhe kanë dëshmuar, të vijnë në gjykatë dhe mandej kur të jetë stadium i prokurorisë për dëshmi tjera do të jetë edhe stadiumi ynë si palë mbrojtëse që të propozojmë dëshmitarë të rinj që edhe do ta bëjmë në këtë situatë se posedojmë edhe dëshmi të reja nga ana jonë dhe do të jenë të propozuara nga mbrojtja”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

RAUFI: PSP TAKTIZON ME “BOMBAT” PËR “MONSTRËN”

Raufi akuzon se PSP po taktizon me shpalosjen e provave nga të ashtuquajturat “bomba” që, sipas tij, është në kundërshtim me Ligjin e vjetër për procedurë penale, me të cilin dhe procesohet ky rast.

“Nuk e di se cila është arsyeja, është e qartë se punohet për ndonjë taktizim nga ana e PSP-së, pasi ishin të paralajmëruara se me fundin e propozimeve nga ana e prokurorisë do të jenë edhe “bombat”, kjo nuk ndodhi, u anulua, nuk është sipas Ligjit për procedurën penale që mandej t’i japë prokuroria. Por, pa ndonjë arsyetim, PSP deklaroi se këto do t’i japë në fund, pasi të kalojnë të gjitha provat, edhe të mbrojtjes”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Të akuzuarin, Agim Ismailoviq, tani më nuk do ta përfaqësojë Raufi, pasi që, siç tha, për shkak të efektivitetit më të madh në proces është e favorshme që çdo i akuzuar të ketë nga një avokat.

Seanca e radhës është caktuar më 6 maj. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)