Bisedimet për PPS-në, Deskoska: Propozimet e VMRO-së nuk ishin zgjidhje
Ministria e Drejtësisë nuk ka publikuar propozimet e reja të VMRO-DPMNE-së....

Ministria e Drejtësisë nuk ka publikuar propozimet e reja të VMRO-DPMNE-së, për propozim ligjin për Prokurorinë Publike, pasi vlerëson se ato nuk mënjanojnë dallimet kryesore që kanë palët. Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, tha se as në propozimet e reja të VMRO-DPMNE-së nuk ka gjetje për zgjidhje të përbashkët. Gjithsesi, palët mbeten të hapur për të vazhduar negociatat.
“Dallimet kryesore që kishim deri tani, mbeten. D.m.th., dallimet që, para së gjithash, kanë të bëjnë me vazhdimin e procedurave të filluara nga PPS-ja, shfrytëzimi i dëshmive që janë grumbulluar në ato procedura gjyqësore dhe në fund të fundit përfundimi i procedurave që të fitojë drejtësia në këtë vend. Në pjesën e kësaj çështje të hapur s’kishte diçka që mund të ishte zgjidhje e përbashkët. Ajo që ishte dërguar nuk korrespondonte për zgjidhje të përbashkët që mund të vihej në ligj”,- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
VMRO-DPMNE konsideron se amendamentet e saj bazohen në tre parimet për të cilat palët janë dakorduar. As opozita nuk jep detaje rreth propozimeve të reja të grupit punues, për të respektuar marrëveshjen e arritur që negociatat të mos transmetohen në opinion.
“Bisedimet mes grupeve negociuese për tekst cilësor për Ligjin për Prokurori Publike, ku parashihet edhe e ardhmja e PPS-së, duhet të mbeten brenda grupeve negociuese dhe jo përmes mediave”,- deklaroi ditë më parë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së.
Ligji për Prokurorinë Publike, përkatësisht sanksionimi i Prokurorisë Speciale në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme, për të vazhduar luftën me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta, është një ndër kërkesat e BE-së që vendi të marrë datën për fillimin e negociatave. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
