Zgjedhjet Presidenciale 2019, Blerim Reka me fushatë në rrjetet sociale
Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka....

Kandidati i pavarur për president, Blerim Reka, i mbështetur edhe nga partitë Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, në prag të tubimit përmbyllës sonte në Tetovë, ka vazhduar fushatën zgjedhore në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve.
Ndërkohë, në intervistën presidenciale të dhënë për TVM2, që transmetohet sonte, Reka kritikoi politikbërjen e viteve të fundit për mosparandalimin e emigrimit të qytetarëve, ndërsa premtoi se në rast se zgjidhet president, do të ndikojë në ndaljen e këtij fenomeni.
“Ju them të drejtën, se brenga kryesore e qytetarëve ishte a do të kemi më të rinj apo do të mbetemi pa të rinj. Unë ju thashë aq sa munda, unë nuk bëj premtime kote, nuk mund t’i ndalojmë me fjalën. Tani po ikin familjet e tëra, tani po ikin edhe ata që janë në punë, po ikin mjekët, zyrtarët e administrata publike që janë me rrogë me vendime pune. Nëse në ditë 75 deri 80 të rinj presin para dyerve të ambasadave gjermane dhe diku rreth 8 mijë qytetarë të Maqedonisë marrin leje për Zvicër, se nuk po i dijë radhët nëpër ambasadat tjera, kjo tregon se nuk ka pasur politikë adekuate jo se jo në 11 vitet e fundit, unë frikohem se nuk ka politikë adekuate për parandalim e fenomenit, të eksodit”,- tha kandidati për president, Blerim Reka.
Si arsye për shpërnguljen e qytetarëve, Reka tha se janë papunësia, korrupsioni institucional e nepotizmi, ndërsa shtoi se me rëndësi në këto zgjedhje është dalje masovike e qytetarëve, pa dallim se për kë do të votojnë me të vetmin qëllim, që të arrihet censusi i nevojshëm.
Reka po ashtu tha se Republika nuk njeh demokracinë e dozuar për “kombet statistikore”, të cilëve u lejohen të drejta aq sa për qind janë. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
