Zgjedhjet Presidenciale, shefat e shtabeve me porosi për zgjedhje fer

19.04.2019 18:30

Përfaqësuesit e shtabeve zgjedhore të tre kandidatëve për president....

Përfaqësuesit e shtabeve zgjedhore të tre kandidatëve për president gjatë një takimi të përbashkët në Komisionin Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se fushata deri më tani ka shkuar në atmosferë të qetë. Ata apeluan për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

“Siç ishte fushata deri më sot fer dhe demokratike pa asnjë incident, së paku nga ana jonë ashtu ka qenë, shpresojmë që edhe ditën e diel të jetë në të njëjtën mënyrë, të ndjekim këtë proces që në mënyrë sa më demokratike të dalin të gjithë qytetarët dhe të votojnë për kandidatin që ata e përkrahin”,- tha shtabi i kandidatit Blerim Reka, Florim Hasani.

“Shpresojmë se zgjedhjet do të kalojnë në atmosferë të drejtë dhe demokratike. Presim nga pushteti si përgjegjës të zbatojë zgjedhje demokratike. U dëshirojmë një garë të drejtë më 21 prill, si kandidatit Pendarovski ashtu edhe kandidatit Blerim Reka. Zgjedhje të drejta dhe demokratike janë të një rëndësie të veçantë për RM-në”,- tha shtabi i kandidatit Gordana Siljanovska, Igor Janushev.

“Të gjithë së bashku të tregojmë pjekuri të lartë demokratike, vetëdije politike, së bashku të mundësojmë që qytetarët në zgjedhje të qeta dhe të drejta lirshëm të shprehin vullnetin e tyre. Përmes këtyre zgjedhjeve të gjithë do të duhet të dëshmojmë pjekuri demokratike dhe të vërtetojmë se jemi të denjë në rrugën euroatlantike”,- tha shtabi i kandidatit Stevo Pendarovski, Aleksandar Kiracovski.

Kreu i KShZ-së, Oliver Derkoski, ftoi përfaqësuesit e shtabeve që të respektojnë heshtjen zgjedhore, teksa vlerësoi se fushata deri më tani ka shkuar në atmosferë të qetë.

“I përgëzoj edhe një herë shefat e shtabeve të kandidatëve për president lidhur me fushatën dhe besoj që do të përfundojmë edhe zgjedhjet në atmosferë, siç është udhëhequr fushata”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa rrethi i dytë është parashikuar të mbahet më 5 maj. (Naim Ramadani, TVM2)