Presidencialet në Ukrainë, debati i kandidatëve “Dialog i të shurdhërve”
Stadiumi më i madh i futbollit në Ukrainë do të jetë vendi ku do të zhvillohet....

Stadiumi më i madh i futbollit në Ukrainë do të jetë vendi ku do të zhvillohet debati në mes të dy kandidatëve për president, për zgjedhjet e së dielës.
Ngjarja përshkruhet si një shfaqje politike në të cilën presidenti aktual, Petro Poroshenko, do të përballet me rivalin e tij, aktorin komik pa përvojë politike, Volodimir Zelenskiy. Por, popullata këtë debat nuk e sheh si një dialog serioz mes dy palëve.
“Ky do të jetë një dialog i të shurdhërve. Palët do të flasin për çështjet e tyre, por nuk do të dëgjohen nga pala tjetër. Nuk do të ketë një debat dhe dialog normal, prandaj edhe kjo do të jetë mënyra e debatit në formë të fushatës, ku secili do të flasë për programin e tij dhe s’do të dëgjojë oponentin, ose s’do të ketë debat aspak”,- deklaroi drejtori i Organizatës “Penta”, Volodymyr Fesenko.
"Unë do të ndjek debatin, por e di shumë mirë se ajo do të jetë një shfaqje, një spektakël dhe jo një dialog kuptimplotë nga të dyja palët”,- tha një qytetar.
"Kjo nuk do të ndikojë në përzgjedhjen time. Ndjej se nuk kam zgjidhje, pasi që nuk do të votojë për asnjërin nga ata në asnjë mënyrë dhe e dyta ata kanë humbur shansin në tre javët e kaluara të marrin votën time. Në këto rrethana jam shumë konfuze, sepse unë dua të votoj për Ukrainën por s’di si ta bëj këtë”,- theksoi një qytetare.
Anketat e opinionit tregojnë se komediani që ka luajtur rolin e president në një serial të njohur televiziv, ka shumë gjasa të fitojë zgjedhjet. Zelenskiy fitoi afërsisht dyfish më shumë vota se Poroshenko në raundin e parë të zgjedhjeve më 31 mars. (Leunora Kaliqi, TVM2)
