Ukraina i beson një komediani, Zelenski mundi bindshëm Petro Poroshenkon

22.04.2019 12:57

Në mesin e një krize të thellë ekonomike që prodhoi luftë dhe aneksimin e Krimesë....

Në mesin e një krize të thellë ekonomike që prodhoi luftë dhe aneksimin e  Krimesë, ukrainasit ia besuan fatin e vendit komedianit Volodimir Zelenski.

41-vjeçari u zgjodh President i ri i vendit, duke rrëzuar nga karrigia Petro Poroshenkon.

“Nuk do t’ju zhgënjej kurrë”, ky është premtimi që Zelenski, u bëri mbështetësve të tij pas fitores historike.

41-vjeçari është fitues i balotazhit që e vendosi atë përballë Petro Poroshenkos, i cili këmbëngulte për një mandat të dytë në këtë post.

Zelenski, ka marrë më shumë se 73 % të votave, ndërsa presidenti në detyrë, Petro Poroshenko, mori vetëm  24 %.

Ky i fundit, e pranoi humbjen pas rezultateve të para dhe tha se nuk do të largohet nga politika.

Rishtar në politikë dhe pa një program të detajuar për nxjerrjen e vendit nga kriza, Volodimir Zelenski arriti të rrëmbejë besimin e qytetarëve, duke dëshmuar pritjet e këtyre të fundit për një ndryshim rrënjësor.

Aktori i cili më herët e ka luajtur presidentin në një prej karakterëve të tij komikë, do të drejtojë Ukrainën për 5 vitet e ardhshme.

Ai ka premtuar se do të mbajë linjën pro-europiane, do të luftojë korrupsionin e përhapur kudo në vend gjatë presidencës së Poroshenkos, se do t’i japë fund konfliktit në lindje të Ukrainës, ku prej fillimit të luftimeve në vitin 2014 kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.

Tani, mbi Zelenskin do të rëndojë presioni për të demonstruar se ai e di se çfarë po bën. Gjatë fushatës ai ka evituar intervistat serioze dhe diskutimet politike, duke preferuar postime prekëse në mediet sociale.

Por tani, një muaj para inaugurimit, komediani i shndërruar në president, duhet të përballet me çështje komplekse. A do të dijë të luajë rolin e presidentit edhe jashtë setit filmik, kjo mbetet të shihet. Ukrainasit mendojnë se po. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)