Kumanovë, vriten babë e bir, autoritetet hetojnë rastin
Elham Sallahu, 47 vjeç dhe djali i tij 8 vjeç, janë dy të vrarët....

Elham Sallahu, 47 vjeç dhe djali i tij 8 vjeç, janë dy të vrarët, trupat e të cilëve u gjetën mbrëmë rreth orës 22:40 nga zyrtarë policorë, tek vendi i quajtur “Bunari”, në afërsi të fshatit Sllupçan.
Trupat u gjetën në një veturë të markës “Opel Astra” me targa të Shkupit. Prokurori dhe ekipi i Sektorit për punë të brendshme në Kumanovë kanë kryer ekspertizën e veturën drejt së cilës janë shkrepur shumë plumba. Me këtë rast është konstatuar se drejt veturës, ku ishin dy persona, vozitësi dhe djali i tij 8 vjeçar, është gjuajtur nga afër. Që të dy kanë marrë plagë vdekjeprurëse dhe kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
“Me urdhër të prokurorit, ekipi i ekspertizës pranë MPB-së ka siguruar dhe i ka marrë dëshmitë nga vendi i ngjarjes dhe të njëjtat do të jenë lëndë e ekspertizës së mëtejme. Janë gjetur numër i madh i gëzhojave nga plumbat e shkrepur, nga të cilat në ekspertizë pritet të vërtetohen fakte të rëndësishme. Ekspertizë do të kryhet edhe ndaj veturës, në të cilën shihen gjurmë të shumta nga sulmi me armë zjarri. Gjithashtu është dhënë urdhër për kryerjen e obduksionit të trupave të pajetë”,- thuhet në kumtesën e PTHP në Kumanovë.
Prokuroria Publike Themelore në Kumanovë po ndërmerr veprime me qëllim të zbardhjes së rastit. (Fatlum Aqifi, TVM2)
