Maqedoni

OJQ “Most”: Zgjedhje demokratike, incidente të vogla

22.04.2019 17:05

Asociacioni qytetar “Most” e ka vlerësuar procesin zgjedhor si pozitiv, e që ka kaluar në atmosferë të qetë e demokratike....

Sipas MOST-it, qytetarët lirshëm kanë pasur mundësi ta shprehin vullnetin e tyre, megjithëse janë shënuar edhe disa incidente minimale dhe të izoluara, por të cilat nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor. 
 
“Rrethi i parë i zgjedhjeve kaloi në atmosferë korrekte dhe demokratike, qytetarët morën pjesë në një proces ku lirshëm kanë pasur mundësi ta shprehin të drejtën e tyre qytetare. Gjatë ditës së djeshme janë shënuar disa incidente të vogla të izoluara të cilat nuk kanë ndikuar në procesin zgjedhor, por njëkohësisht përshëndesim veprimin e shpejt të organeve të drejtësisë. Për herë të parë nuk janë shënuar incidente të rënda të cilat mund të ndikonin në procesin zgjedhor, probleme nuk ka pasur asnjë pjesën e fushatës”,- tha kryetari i Asociacionit qytetar “Most”, Darko Aleksov.
 
Aleksov po ashtu me notë pozitive e ka vlerësuar edhe fushatën e tre kandidatëve për president dhe ka përshëndetur edhe debatet e shumta mediatike që janë realizuar gjatë fushatës. “Most” përshëndeti edhe vendimin e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit për mosinvolvim të institucioneve shtetërore në shërbim të ndonjë partie. Sipas “Most”, vlen të përshëndetet edhe puna e KShZ-së, për punën administrative në përgatitjen e komisioneve komunale zgjedhore. Asociacioni qytetar “Most” i ka vëzhguar zgjedhjet me 1.500 vëzhgues në 1.160 vendvotime. 
 
FITIM KRYEZIU