Maqedoni
OSBE dhe Këshilli i Evropës: Zgjedhje të mira dhe transparente
22.04.2019 17:31
Zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoninë e Veriut u organizuan mirë, të qeta dhe transparente....

Ky ishte vlerësimi i përgjithshëm i misionit vëzhgues të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Por, për OSBE-në dhe KE-në vazhdojnë shqetësimet për kornizën ligjore, sidomos në pjesën e financimit të kampanjës.
“ODIHR shpesh ngrit zërin se sa është me rëndësi të përfundohet reforma në kodin zgjedhor dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me autoritetet për aktivitetet që do të dalin nga raportet tona. Sidoqoftë, dje pamë se vullneti politik i sinqertë mund të bëjë dallim të thellë dhe shpresojmë ky trend të vazhdojë”,- tha shefja e misionit vëzhgues nga OSBE, Corien Jonker.
“Zgjedhjet e djeshme ishin të organizuara mirë dhe votuesit që morën pjesë në zgjedhje kishin mundësinë të bëjnë zgjedhje e tyre të lirë. Delegacioni sidoqoftë shpreh keqardhje që dalja e votuesve ishte e ulët për zgjedhjet presidenciale”,- tha shefja e delegacionit të APKE-së, Marie Christine Daloz.
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, OSBE fton qytetarët të kontribuojnë në vendimin për të ardhmen e vendit, duke mbushur kështu censusin e kërkuar për zgjedhje të vlefshme.
“Të tre kandidatët u shprehën për integrim të mëtejshëm evropian. Çfarëdo të ardhme që njerëzit këtu mund të zgjedhin, zgjedhjet demokratike do të jenë vendimtare. Pragu për rrethin e dytë kërkon 40% dhe inkurajoj qytetarët të marrin pjesë në raund të dytë dhe të kontribuojnë për të ardhmen e vendit”,- tha shefi i delegacionit parlamentar të OSBE-së, Reinhold Lopatka.
OSBE vlerësoi se transmetuesi publik mundësoi mbulim të paanshëm dhe mediat në përgjithësi prezantuan informacion të shumëllojshëm për kandidatët dhe partitë politike, duke iu mundësuar qytetarëve të bëjnë zgjedhje në bazë të informimit të drejtë. Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve presidenciale përfshiu 240 vëzhgues nga OSBE dhe 12 nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
