Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, Pendarovski: Kërkoj mbështetjen e votuesve të Rekës. Janushev: Kërkojmë mbështetjen e të gjithë qytetarëve

22.04.2019 17:51

Kandidatët presidencial, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova, kërkojnë mbështetjen e qytetarëve....

Kandidatët presidencial, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova, kërkojnë mbështetjen e qytetarëve, e në veçanti të votuesve të Blerim Rekës në rrethin e dytë më 5 maj. Kandidati konsensual Pendarovski, tha se prej votuesve shqiptarë do të varet e ardhmja e vendit, pro Europës ose politikave bllokuese të cilat i paralajmëron oponentja e tij në garë.
 
“Prej votuesve të Blerim Rekës pres që të më mbështesin në rrethin e dytë dhe i ftoj të gjithë ata në mënyrë masovike të dalin dhe të votojnë. E di që ata në numër të madh mbështesin vizionin tim për Maqedoni europiane dhe të integruar në krahasim me bllokimet të cilat i paralajmëron Siljanovska. Nga vota e tyre varet se çfarë drejtimi do të marrë vendi ynë më 5 maj”,- tha kandidati për president, Stevo Pendarovski.
 
Nga VMRO-DPMNE janë të bindur se qytetarët mbështetën opsionin e tyre “Drejtësi për Maqedoninë”. Sekretari i përgjithshëm, Igor Janushev, duke u bazuar në rezultatet e rrethit të parë, thotë se VMRO gëzon mbështetje më të madhe tek qytetarët, ndërkaq politikat e pushtetit po përjetojnë humbje.
 
“Ftojmë gjitha partitë, duke mos i ndarë në kurrfarë baze, të gjithë ata, qofshin parti politike, organizata, shoqata të qytetarëve, persona fizikë, të cilët konsiderojnë se drejtësia do të duhet të fitojë, se do të duhet ta ndërtojmë Maqedoninë mbi parime, sinqeritet dhe nder, është i mirëseardhur të na bashkëngjitet”,- tha sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev.
 
Rezultati i ngushtë zgjedhor midis dy kandidatëve, Siljanovskës dhe Pendarovskit, sipas këtij të fundit, erdhi si pasojë e vendimeve të vështira të cilat i ka marrë pushteti sikurse janë marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, Ligji i gjuhëve etj. Sipas Pendarovskit, këto vendime edhe sot e kësaj dite kundërshtohen nga opozita. Kandidati, Blerim Reka, dhe mbështetësit e tij politik, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, kanë ftuar qytetarët që në rrethin e dytë të votojnë lirshëm sipas bindjeve të tyre.
 
MERAL ISMAILI