Rasti “Sazdovski”, Bela dhe Demiri dënohen me nga 19 vjet burg
Gjykata Penale në seancën e sotme ka dënuar me nga 19 vjet burg Besir Belën dhe Skender Demirin...

Gjykata Penale në seancën e sotme ka dënuar me nga 19 vjet burg Besir Belën dhe Skender Demirin për vrasjen e e njëzet vjeçarit Nikolla Sazdovski.
Të dënuarit Bela dhe Demiri gjithashtu do të duhet të paguajnë dëmshpërblim nga 15 mijë euro për të gjithë anëtarët e ngushtë të familjes së Sazdovskit. Vendimin e shpalli gjykatësja Daniella Aleksovska – Stojanovska, ndërsa i bëri fajtor për vepër penale “vrasje në mënyrë mizore”.
Të dy të akuzuarit nuk janë dënuar me burgim të përjetshëm pasi asnjëri nga të akuzuarit nuk kishte mbushur 21 vjet, në momentin që e kishin kryer veprën.
Të akuzuarit Besim Bela dhe Skender Demiri paraprakisht janë deklaruar se për vrasjen mizore të Nikolla Sazdovskit, pjestarë i tifo grupit “Komiti” pas rrahjes brutale më 29 qershor të 2018, nuk ndjehen fajtor.
Të akuzuarit dhe pala mbrojtëse gjatë kohës së procesit gjyqësor kanë potencuar se nuk ka elemente të vrasjes mizore, mirëpo gjatë rrahjes i njëjti ka rrëshqitur dhe ka goditur një shtyllë të metalit, e cila rrëshqitje ka rezultuar të jetë fatale për Sazdovskin, i cili më pastaj kishte rënë në komë dhe kishte ndërruar jetë.
Atë ditë në ora 17.45 në bulevardin Aleksandar Makedonski në Shkup, në stacionin e autobusit para kompanisë Alkaloid, i janë afruar Sazdovskit dhe i kanë kërkuar letër njoftimin.
Pasi që i njëjti u kishte treguar letërnjoftimin, e kanë pyetur: “Ti je ai Nikolla Sazdovski, që e quajnë Sazdo?” Pasi i njëjti kishte konfirmuar identitetin, të akuzuarit kanë filluar ta godasin. Nga goditjet tashmë i ndjeri Sazdovski kishte rrëshqitur dhe nga goditjet i njëjti kishte pësuar lëndime të rënda trupore duke përfunduar në koma. Gjykatësja para se të shqiptojë aktvendimin, ka thënë se sipas hetimeve nga Mjekësia Ligjore dhe nga rekonstruimi i rastit në prani të dëshmitarëve, Sazdovski nuk ka ndërruar jetë pasi kishte goditur shtyllën e metalit, siç kishte theksuar pala mbrojtëse, por të akuzuarit e kishin vrarë në mënyrë mizore.
