Zgjedhjet Presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tubim në Karposh

23.04.2019 12:55

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski....

Kandidati për president i LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, mbrëmë në tubimin në Karposh të Shkupit, duke i rikujtuar ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Parlament, u bëri thirrje qytetarëve për mobilizim masovik më 5 maj dhe pa mëdyshje të mbështesin opsionin i cili bashkon etnitetet dhe garanton një të ardhme më të mirë për të gjithë.

“Numri prej 325 mijë vota është kapital i jashtëzakonshëm, sepse e dimë se ekziston kapital për më shumë vota dhe për shkak se ata e kanë ditur se njerëzit të cilët nuk kanë votuar për arsye të ndryshme e dinë se kjo është opsioni i vetëm që realisht Maqedoninë e çon drejt Europës, në progres dhe ekonomi më të mirë, në vend të atyre tjerëve që “shesin mjegull” në opinion. Disa herë kemi thënë se këto zgjedhje nuk janë të thjeshta, nuk bëhet fjalë a do të jetë Pendarovski ose Siljanovska president. Këtu bëhet fjalë për koncept të tërë politik nga ana jonë karshi koncepti tjetër. Kjo e dyta na çon në një të kaluar të keqe, prish kohezionin e brendshëm të shoqërisë tonë dhe nuk i trajton si të barabarta të gjithë etnitetet në vend dhe asnjëherë nuk mund t’ju përafrojë drejtë Europës”,- tha kandidati për president nga LSDM dhe koalicioni qeverisës, Stevo Pendarovski.

Lideri i LSDM-së, Zaev, pohoi se e ka marrë porosinë e qytetarëve në rrethin e parë të zgjedhjeve dhe premtoi se pas zgjedhjeve të 5 majit do të ketë “spastrim” në nivel lokal dhe qendror.

“Unë flas hapur, nuk po kërcënoj askënd, e kemi marrë mesazhin në raundin e parë dhe pamë se në disa vende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të marrë nderin e popullit tonë dhe për t’i shërbyer atij. Këtë e them hapur për mbështetësit tanë të cilët vendosën të qëndrojnë në shtëpi, që janë të pakënaqur me ne, me disa prej zyrtarëve tanë, do të ketë spastrim në nivel lokal dhe qendror. Ky është mesazhi im. Ju e dërguat mesazhin, por mos e ndëshkoni shtetin për shkak të disa dobësive tona. Ka dobësi, por ne jemi duke punuar për t’i rregulluar ato. Unë e kuptoj, shumë nga mbështetësit tanë më kanë dërguar mesazh: Hej alo, ndërroni diçka, nuk shkon kështu”,- tha Zaev.

Njëherit Zaev u bëri thirrje votuesve të Blerim Rekës t’i bashkëngjiten konceptit për bashkim të cilin e promovon Pendarovski dhe të votojnë më 5 maj për të. (Rexhep Qamili, TVM2)