Maqedoni

Micotakis sërish kritik ndaj Ciprasit: Pse lejoi që fqinjët të quhen maqedonas?

23.04.2019 15:19

Demokraci e Re greke vazhdon të mbrojë tezën se duhet të luftojnë për ta mbrojtur emrin dhe imazhin e Maqedonisë....

Demokraci e Re greke vazhdon të mbrojë tezën se duhet të luftojnë për ta mbrojtur emrin dhe imazhin e Maqedonisë, sipas tyre, Maqedoninë reale, të vërtetë dhe autentike. Madje, kryetari i kësaj partie, Kirijakos Micotakis, për  TV Alfën greke ka thënë se do të fillojnë fushatë komunikuese për mbrojtjen e Maqedonisë. Micotakis shtoi se kjo ka të bëjë me prodhimet dhe markat tregtare, por edhe me perspektivën evropiane të vendit fqinj.
 
“Do të luftojmë që të mundet më intensivisht ta promovojmë unitetin e Maqedonisë. Të jap një shembull: për disa muaj në mënyrë solemne do të hapet Muzeu i Verginas. Me të vërtetë do të dëshiroja kjo të jetë mundësi e madhe që të mund gjithë botës t’ia paraqesim madhësinë e civilizimit maqedonas. Me fjalë të tjera, në kuadër të marrëveshjes do t’i mbrojmë interesat tona kombëtare dhe në lidhje me integrimin e vazhdueshëm të vendit fqinjë. Për këtë jam shumë i qartë. Greqia e mban, për çdo kapitull që hapet dhe mbyllet, mundësinë për ta bllokuar procesin integrues, nëse vlerësohet, atë nuk e them apriori, them nëse vlerësohet se nuk u shërben interesave kombëtare”,- tha kryetari i Demokracisë së Re në Greqi, Kirijakos Micotakis.
 
Në intervistë, Micotakis kërkoi nga SYRIZA edhe njëherë të sqarohet   se pse lejuan mundësinë për fqinjët “të quhen maqedonas dhe të flasin në gjuhën maqedonase”. 
 
“Në argumentin themelor, përse dhamë gjuhë, identitet dhe kombësi, zoti Cipras asnjëherë nuk na u përgjigj. Përse sot duhej t’u jepnim mundësi fqinjëve tanë të quhen vetëm maqedonas, të flasin gjuhë maqedonase, gjuhë të cilën nuk e pranon as Bullgaria”,- tha kryetari i Demokracisë së Re në Greqi, Kirijakos Micotakis.
 
Duke e cilësuar Marrëveshjen e Prespës të keqe, Micotakis shtoi se nominimi i Ciprasit për Çmimin Nobel për Paqe nuk është punë e ndershme. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU