Dita e librit dhe të drejtave të autorit, Ajeti: Interesimi për librin është zbehur
Interesi për të lexuar libra jashtëshkollorë është zbehur dukshëm nga të rinjtë....

Interesi për të lexuar libra jashtëshkollorë është zbehur dukshëm nga të rinjtë, të cilët nuk tregojnë ndonjë interesim të madh. Adile Palloshi Ajeti, që shumë vite punon në bibliotekë, e pranon se interesimi për libra nuk është siç ka qenë më parë. Kjo e fundit thotë se duhet të nxiten fëmijët që të jenë më afër librit dhe të largohen nga celularët.
“Interesimi i lexuesve për të ardhur në bibliotekë ka qenë bukur shumë më i madh se sa sot. Po sikur të ekzistonte një forcë e tillë që t’i largojmë fëmijët nga telefoni do të ishte shumë mirë. Mendoj se njëherë nuk ka forcë që i largon nga telefoni. Duhet të merren masa, duhet edhe prindërit të punojnë edhe arsimtarët. Nëse në fëmijëri nuk u mbillet fëmijëve dëshira për të lexuar, ata atëherë asnjëherë nuk do t’iu afrohen librit”,- tha bibliotekistia, Adile Palloshi Ajeti.
Por, nxënësit pranojnë se janë të dhënë pas teknologjisë, duke arsyetuar se më lehtë librin e gjejnë në internet se sa në bibliotekë.
“Duke pasur parasysh se ne jemi gjenerata e teknologjisë, nuk jemi edhe aq të afërt me librin siç kanë qenë prindërit tanë, gjyshërit tanë, paraardhësit tanë. Ata që i kemi në plan-program që i kemi patjetër t’i lexojmë e hyjnë në vlerësimin për notë, e kemi patjetër”,- tha një nxënës.
“Edhe pse teknologjia ka përparuar shumë, nuk mund të zëvendësojë librin. Lexojmë libra edhe nëpërmjet internetit, por ndryshe është kur e ke librin para. Librin e fundit që e kam lexuar është “Princesha që tregon për jetën e vajzave në Arabin Saudite””,- u shpreh një nxënëse.
“Lexojmë libra që na i rekomandojnë profesorët, por ndodh edhe jashtë plan-programit lexoj libra. Më shumë e përdorim internetin edhe tel. për të lexuar libra, më lehtë i gjejmë në internet se sa t’i kërkojmë nëpër biblioteka dhe nuk mund t’i gjejmë”,- tha një nxënëse.
Ndryshe, 23 prilli është Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale që është përzgjedhur të jetë një datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Me këtë datë të vitit 1616, lidhet vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore: Shekspirit në Angli dhe Miguel de Servantes në Spanjë.
I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohëve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë. (Rejhan Bushi Metaj, TVM2)
