Zgjedhjet Presidenciale 2019, Siljanovska filloi fushatën për rrethin e dytë

23.04.2019 16:52

Sipas saj, për një periudhë tetëmbëdhjetë mujore të humben 40 për qind prej votuesve....

“Nuk duhet të jeni ekspert i zgjedhjeve që të konstatoni se edhe në historinë e zgjedhjeve evropiane nuk ka ndodhur një kolaps i tillë i legjitimitetit”,- tha kandidatja e VMRO-DPMNE-së për kryetare të shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila shënoi fillimin e fushatës zgjedhore për rrethin e dytë zgjedhor.

Sipas saj, për një periudhë tetëmbëdhjetë mujore të humben 40 për qind prej votuesve apo 200 mijë votues është paralajmërim i fuqishëm se LSDM do të humb jo vetëm në zgjedhjet presidenciale, por edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo më tej shtoi se fushata për president nuk është vendi ku duhet të marrë pjesë çdo ditë kryeministri, ministrja e mbrojtjes dhe edhe më pak ministri i punëve të brendshme, sepse sipas Siljanovskës, Zaev është edhe kryeministri i saj dhe ministrat janë njëkohësisht edhe ministra të saj dhe se kanë tejkaluar kufirin që ndan shtetin me partinë. Siljanovska më tej shtoi se është e ofenduar dhe nga kualifikimet që është albanofobe nga ana e sekretarit gjeneral të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski, dhe po ashtu gjykoi mesazhin e ministrit kosovar të punëve të jashtme, i cili ftoi shqiptarët e Maqedonisë të votojnë për kandidatin që garanton perspektivë evropiane për Maqedoninë, duke menduar Pendarovskin.

“Si ta interpretoj kualifikimin albanofob? Për dikë siç jam unë kjo paraqet mirënjohje për homofobi, por edhe për fobi mendore, sepse nuk e di se sa gra ka në Maqedoni, por mendoj se isha gruaja e vetme me një deputet të PDSh-së që morëm pjesë në ceremoninë e iftarit në praninë e burrave, sepse kryetari i Kongresit botëror i të rinjve që i takojnë përkatësisë islame ishte ish studenti im. Ky kualifikim është ofendues, nuk ka peshë, por çfarë  të them unë. Unë hapur them se në BE shkohet me marrjen e datës për negociata, e cila merret me zhvillimin e betejës kundër korrupsionit, krimit nepotizmit dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Patjetër duhet të bëjmë ndryshime radikale. Unë po ashtu nuk kam asgjë sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën, por konsideroj se deklarata e tillë është jo e zakonshme. Një ndër parimet kryesore të Kombeve të Bashkuara është mospërzierja në punët e brendshme, sepse procesi zgjedhor është çështje e brendshme e çdo shteti. Jam e bindur se shqiptarët e dinë kujt do t’ia besojnë votën e tyre”,- tha kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Silajanovska.

Siljanovska më tej shtoi se votuesve shqiptarë dhe votuesve të etniteteve tjera  u ofron  trajtim të barabartë nga dita e parë në kabinetin e saj dhe nëse zgjidhet këtë do e konfirmojë. (Flutura Latifi Topojani, TVM2)