Maqedoni
Gjykata Penale në Shkup, 38 vite burg për vrasjen e Sazdovskit
23.04.2019 17:38
Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar nga 19 vite burg për Besir Belën dhe Skender Demirin...

Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar nga 19 vite burg për Besir Belën dhe Skender Demirin, të akuzuar për veprën penale “vrasje mizore” të Nikolla Sazdovskit, anëtar i grupit të tifozëve "Komitët". Në mënyrë plotësuese të akuzuarit duhet të paguajnë dëmshpërblim material prej 10 milion denarësh për dhimbjen e shkaktuar familjarëve.
Gjykatësja, Daniella Aleksovska, tha se edhe pse për këtë vepër është i paraparë dënim me burg të përjetshëm, Ligji përkufizon më së shumti deri në 20 vite burg për shkak të moshës së re nën 21 vjeç të të akuzuarve, andaj sipas saj ky dënim është mesazh se si brutaliteti dhe mizoria nuk është mënyra e komunikimit mes të rinjve.
“Është e nevojshme parasegjithash të jepet mesazh i fuqishëm si brenda ashtu dhe publikut ndërkombëtare se mizoria dhe brutaliteti nuk janë mënyra e komunikimit mes të rinjve, përkundrazi, Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet demokrat dhe shoqëri multietnike ku respektohen vlerat dhe të drejtat qytetare dhe për çdo thyerje të saj ka mbrojtje gjyqësore”,- tha gjykatësja, Daniella Aleksovska.
Familjarët e të akuzuarve nuk u pajtuan me vendimin gjyqësor, duke vlerësuar se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut po punon me standarde të dyfishta kur janë në pyetje shqiptarët. Ata paralajmëruan ankimim të vendimit në Apel.
“Ky është vendim i njëanshëm dhe ne nuk e pranojmë këtë vendim. Këtu nuk ka pasur vrasje mizore, gjykata ka gjykuar si ka dashur vetë dhe kjo përmban bazë politike. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Ne e pamë që me rastin e Almirit çka ndodhi dhe çka po ndodh me këtë rast. D.m.th. ende nuk ka drejtësi për shqiptarët”,- tha vëllai i Besir Belës, Besar Bela.
Por, ndryshe vlerëson babai i të ndjerit, Toni Sazdovski, sipas të cilit me këtë vendim gjyqësori në vend dëshmoi se sadopak është i drejtë.
“As një nënë nuk duhet të varros birin e saj. Dënimi është aq sa e ka paraparë ligji. Për fat të keq në Maqedoni, nuk di si është në vendet e tjera, nuk ka dënime më të larta për persona deri më 20 vjet. Për mua si prind edhe 1000 vite të ishte dënimi,nuk ka gjykatë që mund të caktojë dënim të vërtet për këtë vepër. Nuk mund të them se nuk jam u kënaqur me dënimin”,- tha babai i Nikolla Sazdovskit, Toni Sazdovski.
Avokati i palës së dëmtuar, Shehtanski, thekson se është angazhuar që e drejta të dalë në shesh.
“Nuk dua të komentoj vendim gjyqësor. U angazhova në procedurë me qëllim që drejtësia të dalë në shesh”,- tha avokati i palës së dëmtuar, Vanço Shehtanski.
Por, avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq, thotë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për vrasje mizore dhe këtë qëndrim do ta vazhdojë ta dëshmojë edhe në instancat më të larta gjyqësore.
“Këshilli Gjyqësor nuk e kaloi provimin në një rast me të vërtetë të ndjeshëm, ku kemi një jetë të humbur të palës së dëmtuar, Nikolla Sazdovskin. Duke filluar nga hetimi, lënda procesohej me tjetër vepër, por për shkak të shtypjeve nga grupe të tifozëve, konkretisht nga "Komitët", erdhi deri tek rikualifikimi nga ana e Prokurorisë Publike”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
I akuzuari i tretë, Jeton Luzha, akoma është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe për arrestimin e tij është lëshuar fletarrest vendor dhe ndërkombëtar, ndërsa procedura gjyqësore kundër tij është e ndërprerë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
