Maqedoni

Rezultati zgjedhor, përplasje mes VMRO-së dhe LSDM-së

23.04.2019 18:04

VMRO-DPMNE ka kërkuar nga Zoran Zaev dhe partia e tij të japin dorëheqje pas rezultateve të së dielës....

VMRO-DPMNE ka kërkuar nga Zoran Zaev dhe partia e tij të japin dorëheqje pas rezultateve të së dielës, ku sipas VMRO-së, pushteti ishte humbës i zgjedhjeve. Zëdhënësi i kësaj partie, Dimçe Arsovski, theksoi se Zaevi me paralajmërimin se do të ketë pastrime, fajin e tij për disfatën e madhe do ta adresojë tek të tjerët e jo tek vetja e tij.
 
“Zoran Zaevi me paralajmërimin se do të ketë pastrime, fajin e tij për disfatën e madhe që i ndodhi LSDM-së do ta kërkojë te të gjithë të tjerët përveç tek ai. Por, Zoran Zaevi duhet të kuptojë se “peshkut i vjen era nga koka” dhe nëse duhet nga dikush të fillojë pastrimi, është vetë Zoran Zaevi ia i cili duhet të pastrohet nga skena politike në shtet. Zoran Zaev ka përgjegjësi më të madhe me të gjithë qeverinë, me gjithë partinë për humbjen e thellë që pësoi nga populli. Askush nuk e çoi Zaevin të premtojë 500 euro rrogë, të premtojë 100.000 denarë paga për mjekët, mijëra kilometra autostrada, askush nuk e detyroi të premtojë se do të rrjedh qumësht dhe mjaltë nëpër rrugë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski. 
               
Nga LSDM u kundërpërgjigjën se frika e VMRO-së nga debakli që do ta pësojë gjatë raundit të dytë zgjedhor, është aq i madh sa edhe gënjeshtrat e tyre.
 
“Kriminaliteti, korrupsioni, padrejtësia, mosrepektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, gjykimet e montuara, mbyllja e  mediave, përgjimi, dhuna ndaj nxënësve, deputetëve etj. ishin tërmetet e Nikolla Gruevskit dhe Ivanovit, që i sollën për 11 vite vetëm dëme qytetarëve dhe shtetit. Vota për Silajnovskën është votë për regjimin e Nikolla Gruevskit dhe tërmeteve të tij, kriminalitetit, korrupsionit, padrejtësisë dhe keqpërdorimeve. Qytetarët nuk duan Ivanov të ri e as Gruevski. Për këtë është dëshmi fakti se Gordana Siljanovska ka 130 mijë vota më pak se VMRO-DPMNE që kishte në rrethin e parë të zgjedhjeve të vitit 2014”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Nga LSDM shtojnë se qytetarët duan progres, një të ardhme të sigurt, anëtarësim në NATO dhe BE, dhe nuk duan destruktivitet dhe kthim mbrapa.
 
ZEKIRJA MEXHITI