Maqedoni
PD dhe partnerët e koalicionit, nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale
23.04.2019 18:38
Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit...

Kur kanë mbetur vetëm dy muaj nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Opozita e bashkuar në Shqipëri ka zyrtarizuar koalicionin për pamundësim dhe mospjesëmarrje në zgjedhje, ku nuk garantohen kushtet për votime të lira e të ndershme. Rruga e vetme për garantimin e këtij kushti, sipas marrëveshjes së firmosur nga i gjithë kampi opozitar, është qeveria transitore.
Sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha, përshkallëzimi i aksionit opozitar në të gjithë vendin dhe miratimi i një platforme të përbashkët politike është një tjetër qëllim me rëndësi i kësaj marrëveshje.
Koalicionin e ri e komentoi në rrjetet sociale edhe kryeministri, Edi Rama. Sipas tij, pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve është një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike!
“Zgjedhjet as nuk ndalen as nuk shtyhen. “Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki”-, shkruan kryeministri, Edi Rama.
Sipas marrëveshjes së firmosur nga 8 parti opozitare, qeveria transitore do të ketë për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përgatitjen për zgjedhje vendore dhe parlamentare të lira e të ndershme, realizimin dhe ndjekjen e zbatimit të reformës zgjedhore me fokus shkëputjen e politikës nga krimi.
LULJETA NDOKA
