Botë

Iran, ushtria amerikane klasifikohet si terroriste

23.04.2019 19:21

Parlamenti i Iranit miratoi një ligj që i klasifikon të gjitha forcat e ushtrisë amerikane si terroriste....

Agjencia iraniane e lajmeve ISNA njoftoi se 173 nga 215 ligjvënës votuan pro ligjit. Ky hap vjen pasi Shtetet e Bashkuara, më 8 prill, shpallën Gardën Revolucionare të Iranit organizatë të huaj terroriste. Ligji i ri në Iran kërkon po ashtu nga Qeveria e Republikës Islamike të ndërmarrë masa kundër qeverive të tjera që e mbështesin vendimin e ShBA-së për Gardën Revolucionare.
 
Deri më tash, Arabia Saudite, Bahrejni dhe Izraeli e kanë mbështetur këtë vendim të SHBA-së. Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur ndjeshëm prejse presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje bërthamore me Iranin, vitin e kaluar, duke i rikthyer sanksionet ekonomike ndaj këtij vendi. SHBA-ja po ashtu ka marrë vendim që të mos e përjashtojë nga sanksionet asnjë vend që vazhdon të blejë naftë nga Irani.