Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2019, Pendarovski mbajti tribunë qytetare në Tetovë

24.04.2019 15:58

Kandidati për kryetar shteti nga radhët e LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski...

Kandidati për kryetar shteti nga radhët e LSDM-së dhe koalicionit, Stevo Pendarovski, ftoi banorët e Tetovës që masovikisht të dalin dhe të përkrahin konceptin “Bashkë përpara”. Sipas tij, kjo gjeneratë e politikanëve solli vendime  të cilat askush nuk mori guxim t’i ndërmarrë  në tridhjetë vitet e kaluara.
 
“Pas tetëmbëdhjetë vitesh nga nënshkrimi e kompletuam Marrëveshjen e Ohrit. Pas tetëmbëdhjetë vitesh e sollëm Ligjin e gjuhëve dhe me këtë juridikisht përmbyllëm Marrëveshjen e Ohrit. Të rikujtojmë se opozita bëri gjithçka në Parlament dhe jashtë tij, ta ndalojë miratimin e këtij ligji sepse konsideronin se kjo gjë do të shkatërrojë Maqedoninë. Por, ju jeni dëshmi e gjallë, se kjo e bashkon Maqedoninë, nuk e shkatërron, andaj ne këmbëngulnim jo vetëm se ishte obligim nga Marrëveshja kornizë, por sepse kjo mundëson inkuadrimin e të gjithë qytetarëve në institucionet e sistemit dhe realizimin e të drejtave të tyre. Po ashtu arritëm marrëveshje me fqinjët tanë, sepse nuk mund të hapëroni drejt Evropës nëse nuk keni marrëdhënie të mira me fqinjët. Bullgaria dhe Greqia kishin vërejtje të shumta, për politikën që udhëhiqej, për “Shkupin 2014”, ku në një pjesë vidhnim historinë e të tjerëve, duke pasur historinë tonë të shkëlqyer të gjatë. Arritëm këto marrëveshje përkundër kundërshtimit të VMRO-DPMNE-së, sepse nuk mendonim për rejtingun tonë, por mendonim të ardhmen e gjeneratave të reja”,- tha kandidati i LSDM-së për kryetar  shteti, Stevo Pendarovski.
 
“Në këto zgjedhje presidenciale vendosim për ardhmërinë apo për të kaluarën, vendosim të ecim para apo të mbetemi pas. Mund të flas gjerë e gjatë edhe për republikën edhe për drejtësinë, mirëpo as Republika as drejtësia nuk janë ajo që duhet të jetë nëse në krye të shtetit nuk kemi president i cili din të udhëheq me shtetin”,- theksoi nënkryetari i LSDM-së, Edmond Ademi.
 
Sipas LSDM-së, me votën për Pendarovskin, vendi do të ketë president që e udhëheq drejt paqes dhe sigurisë.
 
FLUTURA LATIFI