Presidencialet më 5 maj, Selmani: Për votat e Rekës, të arrihet marrëveshje

24.04.2019 16:51

Kandidati presidencial, i cili më 5 maj dëshiron të thith votat e Blerim Rekës....

Kandidati presidencial, i cili më 5 maj dëshiron të thith votat e Blerim Rekës, këtë duhet ta bëjë me një marrëveshje paraprake, vlerësoi profesori universitar, Bashkim Selmani, në “Argument” në TVM2. Sipas tij, dakordimi duhet të vijë midis kandidatëve dhe përkrahësve politikë të Rekës, Aleanca dhe Besa, pas analizave të tërthorta se çfarë përfitojnë shqiptarët në këmbim të votës.

“Prej 51 ambasadave, 25 të na japin neve, konsuj mbi 36 sa janë, 20 të na japin neve, kjo është ajo marrëveshja për të dhënë votën. Tash u votua kandidati shqiptar dhe po heshtin dy partitë politike shqiptare, thonë ne do ta lëmë votuesin të vendos. Po pse dole t’i dje dhe i kërkove votat e shqiptarëve, tani do t’ia lëmë votuesit? Jo, këto 80 mijë vota ku do t’i udhëzosh dhe ku do t’i trajtosh ti, pra çfarë përfitojmë ne nga kjo?”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.

ISENI: SHQIPTARËT DO TË RRESHTOHEN PAS NJË KAMPI POLITIK

Profesori, Fati Iseni, i bindur se shqiptarët në rrethin e dytë do të rreshtohen pas një kampi politik të eurointegrimeve. Iseni thotë se mundësia e pazareve midis pushtetit dhe partive opozitare shqiptare është e mundur, por do të duhet të jetë konkrete.

“Këtu u la një dritare e hapur edhe nga kryeministri Zaev, i cili tha se llogarit në votat e zotit Reka dhe do të ishte shumë e natyrshme nëse eventualisht do të bëheshin pazaret politike. Në këtë hapësirë do të duhet të bëhet pazar i hapur. Unë nuk kam dilemë se shqiptarët do të shkojnë të ndarë në rrethin e dytë, e cila do të ishte fatale, pra më mirë të jemi më racionalë dhe nuk ka asgjë të keqe për një pazar më të madh politik, që ne të gjithë së bashkë të përfitojmë”,- tha profesori universitar, Fati Iseni.

FETAI: RREZIKOHET ARRITJA E CENSUSIT PREJ 40%

Por, profesori, Milaim Fetai, druan në mos arritjen e censusit, andaj në proceset e radhës zgjedhore rekomandon të mendohet në përzgjedhjen e presidentit në parlament me votim të dyfishtë.

“Mund ta bëjnë modalitetin e Kosovës me dy të tretat e votave në votimin e  parë, me dy të tretat e votave në votimin e dytë. Nëse nuk arrihet atëherë që mos të ngelim pa president, të shkojë në votimin e tretë pas disa ditësh me shumicë votash, por tek të tre votimet të jetë parimi i shumicës së dyfishtë, parimi i Badenterit”,- tha profesori universitar, Milaim Fetai.

Panelistët konsiderojnë se edhe rrethi i dytë do të vijojë njëjtë si rrethi i parë në një atmosferë të qetë kandidatët, Stevo Pendarovski, dhe Gordana Siljanovska Davkova, shkojnë në balotazhin e rrethit të dytë me dallim të ngushtë në vota, 4 500.(Meral Ismaili, TVM2)